TIRANË- Prokuroria ka zbarkuar mëngjesin e së martës në selinë e Partisë Demokratike, për të marrë audio përgjimin për vëllain e ministrit të Brendish Fatmir Xhafaj.

Gazetarja Elda Menga raportoi për “BalkanWeb” se oficerë të policisë gjyqësore, në orët e para të së martës kanë marrë në Partinë Demokratike audio përgjimin, për vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

“Në orën 09.45 një oficer i policisë gjyqësore nga Krimet e Rënda ka marrë në selinë e PD materialin e publikuar dje, ku vëllai i Ministrit të Brendshëm është kapur në trafik droge”, bëjnë me dije burime nga PD.

Një ditë me parë Partia Demokratike publikoi një audio përgjim ku pretendohet se Agron Xhafaj bënte pazare droge me një person që sipas PD është bashkëpunëtor i tij.

Audio-përgjimi u vendos dje në dispozicion të mediave, nga ku dëgjoheshin dy persona tek flisnin për një çështje. Më pas personi i supozuar si Agron Xhafaj e drejtonte bashkëbiseduesin tek “Ermali”, ndërsa i kërkonte të mos i binte më qafë pasi vëllai i tij dhe ai po sulmoheshin.

Pas publikimit të këti materiali, vëllai i ministrit ka depozituar kallëzim penal për 3 zyrtarët e PD, Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe Ervin Salianji, me pretendimin se kanë sajuar prova dhe në asnjë moment zëri qe është degjuar ne audiopërgjimin e publikuar sot nuk është i Agron Xhafajt.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb