Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në mbyllje të fjalimit të tij ka njoftuar se ditën e hënën, që do të zhvillohet seanca plenare, të gjithë protestuesit do të zhvendosen përpara Parlamentit.

“Dita e hënë është ditë parlamenti. Revolucioni na fton, të gjithë para parlamentit. Populli i protestës, populli i fitores, të gjithë të bashkohemi të kalojmë nga beteja në betejë deri në fitoren tonë përfundimtare. Edi Rama, harroje se mund të përjashtosh këtë popull nga vota dhe zgjedhjet. Jo Surreli, po as Biza dhe Martaneshi nuk i pengon këta që të të gjejnë deri në vrimën e miut dhe të japin atë që meriton.
Së fundmi, edhe njëherë, një mirënjohje të pakufishme për ju në këtë shesh. Ju ftoj të vazhdojmë marshin e lirisë, të vazhdojmë marshin e fitores!”, tha Berisha.

“Çdo ditë të bëjmë gjithçka për ti shkurtuar jetën këtij regjimi. Edi Rama, regjimi i tij, duhet përmbysur një ditë e më parë. Ju siguroj se PD nuk synon gjë tjetër, opozita nuk ka qëllim tjetër përveçse të përmbysë monizmin, të çlirojë shqiptarët nga ky monizëm i egër, i shëmtuar, represiv dhe ti japë përgjigjen më të shpejtë së bashku me aleatët kësaj krize lubi që po përpin shqiptarët.

Në aktet e para pas përmbysjes së këtij regjimi do të jetë dyfishimi i rrogave, minimumi jetik për çdo shqiptar sa rroga minimale, përgjysmimi i sigurimeve shoqërore për fermerët dhe subvencion për çdo prodhim të tyre.

Sot është koha që me këtë revolucion të nxjerrim nga dyshekët dhe tubat e ajrimit paratë që këta hajdutë u kanë marrë ju. Sot është koha që paratë e shqiptarëve të mos shpërndahen nëpër botë si ryshfet për shkatërrimin e opozitës.

Edi Rama ta kemi prerë biletën, kthim pas nuk ka. Misionarë si ne nuk i ndalon dot asgjë. Ne kemi të vërtetën, kemi idealet, kemi dashurinë tonë për këtë vend dhe për këtë tokë. Kemi besnikërinë tonë ndaj miqve tanë. Ne asgjë nuk na pengon në këtë rrugë. Edi Rama e ka shndërruar Parlamentin në një turp të historisë sonë kombëtare, e ka bërë më keq se Parlamenti i Putin apo Lukashenkos”, u shpreh po ashtu Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb