Gjykata e Lartë vendosi të kalojë në seancë gjyqësore publike rekursin për çështjen e 21 janarit, për të përcaktuar nëse vrasja e 4 protestuesve në 21 janar 2011 gjatë demonstratës së opozitës do të hetohet nga SPAK apo Prokuroria e Tiranës.

Rasti u shqyrtua në dhomë këshillimi, mbi bazën e rekursit të Rajmonda Nikës, bashkëshortes së protestuesit të vrarë Aleks Nika, e cila kërkon që vrasja të hetohet nga Prokuroria e Posaçme dhe jo ajo e kryeqytetit.

“Kolegji vlerësoi të nevojshëm dëgjimin e palëve për shkak se çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës, për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore”, njoftoi Gjykata e Lartë, e cila ngarkoi sekretarinë që të njoftojë palët.

Familja Nika kallëzoi në SPAK ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm asokohe, Lulzim Basha duke i akuzuar si përgjegjës për vrasjet e kryera në bulevard.

SPAK ka shpallur moskompetencën për hetimin e rastit dhe e ka dërguar dosjen drejt Prokurorisë së Tiranës, e cila ndërkohë pret përgjigjen e akt ekspertizës nga Italia për predhën që iu hoq nga trupi Aleks Nikës.

Për dosjen 21 janari, gjykata ka cilësuar fajtor Ndrea Prendin ish komandat i Gardës dhe Agim Llupon, ish gardist, të cilët janë gjetur fajtor për vrasjen e ZIver Veizit e Faik Myrtaj, ndërsa vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, janë pa autor. Ndërkohë që çështja ende mbetet e hapur në vend kujtojmë se gjykata e Strasburgut e konsideroi 21 janarin një krim shtetëror dhe kërkoi hetim të çështjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb