Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi u shpreh se PD nuk do të votojë krijimin e Komisionit të Posaçëm anti-korrupsion.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Bardhi tha se mazhoranca nuk është konsultuar me opozitën, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama po bën propagandë me antikorrupsionin.

“Duan ta përdorin për propagandë. Ne nuk bëhemi pjesë e propagandës së Edi Ramës që tallet me këtë çështje nuk bëhemi. Ne jemi seriozë në luftën kundër korrupsionit dhe do ta bëjmë këtë. Rama bën propagandë, le të vazhdojë, ne do ta përballemi me fakte. Ne do të jemi të vërtetë dhe realë në luftën kundër korrupsionit që është interesi më i madh i qytetarëve. Nuk ka patur asnjë konsultim, kanë bërë çdo gjë fakt të kryer. Ta tërheqin, të bëjnë çfarë të duan sa kohë e kanë nisur në ktë formë si propagandë dite, si gënjeshtër për t’i hedhur hi sy qytetarëve le të vazhdojnë, ne kemi rrugën tonë, luftë reale ndaj korrupsionit, propozime konkrete për mirëqeverisjen dhe respektimin e shtetit ligjor, por i korruptuari nuk mund të zotohet se do luftojë korrupsionin. Rama ka patur 11 vite në dispozicion për të luftuar korrupsionin, për të garantuart qeverisjen në dobi të qyhtetarëve dhe jo në dobi të Arben Ndokës. E më thua hajde ulemi me të ngjashmit e Arben Ndokës. Arben Ndoka po të ishte në Kuvend mund të ishte anëtar i këtij komisioni dhe unë mund të kisha përballë një person që ditën diskuton me mua për luftën ndaj korrupsionit dhe në darkë porosiste vrasje. Këtu e ka çuar Parlametin dhe qeverisjen Edi Rama”, u shpreh Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb