Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin për të lënë në arrest në burg Bujar Shegën i njohur si “truri financiar” i Suel Çelës. Bujar Shega, allias Marsel Shega u ekstradua dje nga Italia ku u arrestua nëntorin e 2024.

Shega akuzohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, duke u konsideruar pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të drejtuar nga Suel Çela.

  • foto galeri

Procedura e ekstradimit u finalizua pas një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës. Bujar Shega, i lindur në Elbasan, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua në Itali.

Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ky rast thekson angazhimin e autoriteteve për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Njoftimi i GJKKO:

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 03.04.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal, e caktuar me vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim Marsel Shega (alias
Bujar Shega)”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 238 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 37, datë 04.04.2025, vendosi:

1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin
Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim Marsel Shega (alias Bujar Shega), si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të struktruar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 283/a/1 – 28/4, 333/a/1, 334/1, 287/1, gërmat “a” dhe “b” të K.Penal.

2. Urdhërohet Policia Gjyqësore, që personi nën hetim Marsel Shega (alias Bujar Shega), të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.

3. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.

4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i
vendimit të gjykatës.

Tiranë, më datë 04.04.2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb