Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për kërkesën e bërë nga ish-Presidenti i Republikës Ilir Meta.

GJK u shpreh se lidhur me mënyrën e arrestimit të Metës të cilin ai e konsideron si çnjerëzor, nuk mund ta marrë në shqyrtim.

Sipas vendimit me shumicë votash, çështja nuk mund të shqyrtohet pasi është nën hetim.

Po ashtu Gjykata Kushtetuese u shpreh se masa e sigurimit personal ndaj Metës është vendosur për një qëllim të ligjshëm, duke rrëzuar kërkesën e tij.

Njoftimi i GJKKO
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë (Gjykata) në datën 08.04.2026 mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkues Ilir Metaj, me objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 125, datë 20.10.2024 dhe nr. 130, datë 23.10.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nr. 59 (87-2024-333), datë 19.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-364 (57), datë 27.02.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Gjykata pasi mori në shqyrtim pretendimet dhe prapësimet e palëve, në mënyrë të përmbledhur, vëren sa vijon:

Së pari, kërkuesi legjitimohet ratione personae dhe ratione temporis për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues për kontrollin e vendimeve gjyqësore që kanë disponuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arresti në burg”.

Së dyti, për sa i takon kriterit për shterimin e mjeteve juridike, kërkuesi ka pretenduar cenimin e së drejtës për të mos iu nënshtruar torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues, të garantuar nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 3 i KEDNJ-së, lidhur me ngjarjen e datës 21.10.2024 për mënyrën e ekzekutimit nga Policia e Shtetit të masës së sigurimit “Arresti në burg”, në zbatim të vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjykata konstatoi, nga njëra anë, se kërkuesi e ka parashtruar këtë pretendim në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm në procesin gjyqësor për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personal dhe nevojave të sigurimit, në ankimin dhe rekursin e tij dhe, nga ana tjetër, se autoritetet shtetërore kompetente nuk kanë vepruar në atë kohë me nismën e tyre për të adresuar pretendimet e kërkuesit. Megjithatë, sipas informacionit të përcjellë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkuesi ka paraqitur kallëzim penal lidhur me ngjarjen dhe pranë asaj prokurorie në vitin 2025 është regjistruar procedimi penal për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, për të cilin hetimet janë në vijim. Në kushtet kur nuk ka ende një vendim përfundimtar nga gjykatat e zakonshme mbi këtë çështje, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se nuk mund ta marrë në shqyrtim këtë pretendim duke qenë se kontrolli i saj ka natyrë subsidiare, në kuptim të nenit 131, shkronja “f”, të Kushtetutës.

Së treti, në aspektin e kriterit ratione materiae, Gjykata u ndal në vlerësimin e argumenteve të kërkuesit në drejtim të cenimit të lirisë personale në aspektin substancial të lidhur me (i) standardin e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova dhe (ii) parimin e proporcionalitetit, të garantuara nga nenet 17, 27 dhe 28 të Kushtetutës. Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se: në çështjen penale ndaj kërkuesit duket se ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindin një vëzhgues të jashtëm se kërkuesi mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet, ndaj nuk mund të arrihet në përfundimin se kufizimi i lirisë së tij është kryer në mungesë të dyshimit të arsyeshëm, në kuptim të nenit 27, paragrafi 2, shkronja “c”, të Kushtetutës dhe nenit 5, pika 1, shkronja “c”, të KEDNJ-së; masa e sigurimit personal ndaj kërkuesit është vendosur për një qëllim të ligjshëm, garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal në ngarkim të tij, ajo nuk është joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes dhe nevojave të sigurimit, si dhe është në përputhje me rregullat procedurale të Kodit të Procedurës Penale për caktimin e saj.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Akuzat e SPAK për Metën
SPAK ka dërguar për gjykim ndosjen Meta-Kryemadhi. Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me biznesmenë, ku është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga SPAK, akuza të ngjashme ka edhe ish-deputetja e ish-kryetarja e PL, Monika Kryemadhi, njëherazi ish-bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët më pas u divorcuan.

Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv, ndërsa Ema Çoku- një financuese e LSI, për akuzën e pastrimit të parave.

Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.

Hetimi është regjistruar në vitin 2019 në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda bazuar në kallëzimin penal të depozituar nga juristi Romeo Kara lidhur me veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në zbatimin e kontratës së CEZ-DIA. Në vitin 2022, dy kallëzime të tjera janë depozituar në SPAK nga ish-deputeti Halit Valteri dhe avokati Ideajet Beqiri, kallëzime këto që janë bashkuar në një çështje. Procedimi i bashkuar është emërtuar me numrin.55 të vitit 2019.

Për gjetjen e provave ndaj Metës, SPAK deklaroi se kishte bashkëpunuar me autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros. Përmes tyre, SPAK pretendon se ka provuar ndikimin e ushtruar nga Meta në cilësinë e ish-Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory”, DIA dhe kompanisë CEZ Shpërndarje, që kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

Sipas prokurorisë, këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura, kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, DIA ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, vlerë që është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë,” thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, hetimet e deritanishme kanë zbuluar se i hetuari Ilir Meta kur mbante funksionin e ministrit, ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga Kastriot Ismailaj, pronar i kompanisë DIA.

Për këtë episod, Meta akuzohet se ka konsumuar veprën penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se Meta, në sajë të funksionit të tij si kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, Kryemadhi si deputete, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

“Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit,” thuhet në dosjen e SPAK.

Për këtë episod akuzohet edhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho për veprën penale të korrupsionit pasiv.

Një tjetër episod që ka shërbyer në ngritjen e akuzës ndaj Metës dhe Kryemadhit është ajo që SPAK e cilëson “një marrëdhënie korruptive me një biznesmen”. Sipas SPAK, çifti Meta-Kryemadhi kanë përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të këtij bizmesmeni. SPAK e akuzon Kryemadhin se me porosi të biznesmenit S.M., ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë, ligj i cili është ndryshuar.

SPAK refuzoi ta bënte publik emrin e biznesmenit S.M, por burime zyrtare pretenduan se ndaj tij nuk ishte regjistruar procedim penal për shkak se “vepra penale ishte parashkruar”.

Pozita e Metës është rënduar dhe nga kontratat e lobimit të lidhura në cilësinë e kryetarit të LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë periudhës 2016-2017, Meta ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbime konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe grupin McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas SPAK, një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e LSI-së, ndërkohë që një shumë prej më shumë se 463 mijë USD, nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po ashtu, shuma monetare që nuk është transferuar nga llogaritë bankare të LSI-së, nuk është pasqyruar në bilancet e këtij subjekti politik, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen gjithashtu se kanë blerë një apartament dubleks pjesërisht me para të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe se kanë përdorur një kredi bankare si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare, e cila i korrespondon akuzës së pastrimit të parave.

Ata akuzohen gjithashtu për mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore në vlerën e 106 mijë eurove për periudhën 2013-2019, ku rreth 86 mijë euro janë paguar cash sipas SPAK. Bazuar në këto të dhëna, SPAK ngre dyshime se Meta dhe Kryemadhi kanë konsumuar veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb