TIRANE- Banda “Hakmarrja për Drejtësi” është shpallur sot e pafajshme. Në mars të vitit të shkuar Gjykata e Lartë e riktheu çështjen e saj për rigjykim në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, ndërsa kjo e fundit ka marrë sot një vendim befasues duke liruar nga akuzat të gjithë anëtarët e kësaj bande të dënuar nga të gjitha shkallët e tjera të gjykimit.

Gjykata ka dhënë pafajësi për Orik Shytin, Leart Shytin, Altin Arapin, Dritan Hatën, Gent Cakën, Nikolin e Pasho Novruzajn, Gëzim Gjonin, Roland Shytin dhe Kreshnik Spahiun.

Procesi ndaj bandës “Hakmarrja për Drejtësi” ka zgjatur dy dekada dhe për shkak të kërkesave të shumta për gjykime e rigjykime një numër i madh gjykatësish janë përfshirë në proces.

Organizata “Hakmarrje për Drejtësi” u shpall publikisht në 13 tetor 1996, por Prokuroria e aso kohe pretendoi se ishte krijuar në 1992 në qytetin e Durrësit. Qëllimi i krijimit të një organizate të tillë, sipas akuzave të ngritura nga Prokuroria, ishte destabiliteti i vendit. Dy themeluesit e saj janë vëllezërit Leart Shyti dhe Orik Shyti.

Gjykimi ndaj organizatës filloi që në vitin 1998, por u rikthye për gjykim me kërkesë të të akuzuarit kryesor Orik Shyti.

Vëllezërit Shyti janë djemtë e Aredin Shytit, një prej figurave të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme në diktaturën komuniste dhe në qeverisjen e ish-kryeministrit Fatos Nano në 1991.

Aredin Shyti u dënua me 17 vjet burg për “vrasje me dashje indirekte” të 4 demonstruesve të civilë në 2 prill 1991 në Shkodër.

Të dënuarit e “Hakmarrjes për Drejtësi” i kanë hedhur poshtë pretendimet dhe tërë akuzat, përfshi vrasje, vjedhje bankash deri edhe rrëmbime.

Krimet më të rënda për të cilat akuzohen pjesëtarët e kësaj bande janë vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vrasja e 4 civilëve nga vendosja e bombës në ish-supermarketin e kompanisë “VEFA” si edhe ekzekutimi në qendër të Tiranës të shoferit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku.

NGJARJET KRIMINALE PËR TË CILAT AKUZOHET “HAKMARRJA PËR DREJTËSI”
29.01.1993 – Grabitet dega e valutës së Bankës së Kursimeve rreth 307 mijë dollarë

13.04.1993 – Grabitet selia e shoqërisë “IAP”, ku vidhen rreth 53 mijë dollarë

15.12.1993 – Vritet tek “21 dhjetori” Sami Jata dhe nuk mund t’i vidhen lekët që transportonte

11.08.1994 – Shoqëria “Shkumbin Petrol” grabitet në mes të ditës, merret kasaforta dhe shpërthehet më vonë, ku i vodhën 2.6 milion lek të reja

12.10.1994 – Grabitet shoqëria “IAP”, merren 3.500 dollarë dhe plagoset roja Eduard Trimi

13.12.1994 – Vidhet me pasojë vdekjen shtetasi Pal Prendi nga Vlora, punonjës i pikës së grumbullimit të parave të “Gjallicës”. Grabiten 2 arka me para. Shuma 3 milion lekë.

14.01.1995 – Grabitet argjendaria “Agron”, në vlerën 576.377 lekë të reja

20.01.1995 – Grabitet Banka e Kursimeve dega në Vlorë, në vlerën 2.6 milion lekë

21.01.1995 – Grabitet kompania e sigurimeve shoqërore “INSIG”, ku grabiten rreth 156 mijë lek të reja, me pasojë plagosjen e punonjësit të kësaj shoqërie

03.03.1995 – Grabitet Ndërmarrja e Lëndëve Djegëse në Tiranë “Butongas”, ku i vidhen rreth 430 mijë lek të reja

12.04.1995 – Vritet dhe më pas i merren lekët shtetasit Pirro Komini, që transportonte lekët e “VEFA”-s në banesën e tij, në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Vlera 18 milion e 500 mijë lekë i grabiten

15.06.1995 – Grabitet fabrika e sfungjerit “Albafon” në Laprak ku i vodhën rreth 940 mijë lek të reja

31.10.1995 – Rrëmbehet fëmija Erjon Nushi, prindërve u kërkohet 200 mijë dollarë, por lirohet 3 ditë më pas pa marr lekët e kërkuar

12.01.1996 – Grabitet filiali i shoqërisë “VEFA” në Vlorë, merren 145 mijë dollarë

18.04.1996 – Grabitet Banka Kombëtare Tregtare dega Vlorë, merren 2.2 milion lekë të reja

26.02.1996 – Vendosja e eksplozivit në super-marketin e kompanisë “VEFA” në Tiranë, vriten katër persona plagosen 17 të tjerë

26.07.1996 – Vritet ish-drejtori i burgjeve, Bujar Kaloshi në afërsi të shtëpisë së tij

29.09.2003 – Vritet në qendër të Tiranës, Genci Sina, shoferi i ish-Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Ai u qëllua me plumba ndërsa shoqëronte gruan dhe vajzën e Prokurorit të Përgjithshëm.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb