VLORË
Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Vlorë arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë të repartit Delta Forcë, si të dyshuar për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë” për konfliktin e ndodhur pasditen e djeshme në Vlorë.
Sipas AMP, dje rreth orës 18:55, në lagjen “10 Korriku”, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se punonjësi i policisë, Inspektor Lisjan Myrtaj, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë (armën personale të punës) ndaj shtetasit Juxhin Todi (Aliaj), i cili ka qenë duke drejtuar mjetin tip “Benz”.
Nga të shtënat nuk ka pasur të dëmtuar, ndërsa shtetasi Juxhin Todi është larguar nga vendngjarja duke braktisur mjetin.
Menjëherë pas marrjes dijeni nga salla operative, nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Rajonale të AMP Vlorë, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm, është krijuar grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet hetimore procedurale në vendngjarje, ku janë sekuestruar;
– një armë zjarri e llojit pistoletë
– 7 gëzhoja 9 mm, të cilat dyshohen se i përkasin armës së punonjësit të policisë, Lisjan Myrtaj.
– 3 fishekë, model 54
– mjeti tip “Benz Mercedez”
– pamjet filmike nga kamerat e ambienteve në zonën ku ka ndodhur ngjarja
Ndaj punonjësit të policisë, Inspektor Lisjan Myrtaj është vendosur masa e arrestit në flagrancë dhe materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë për kryerjen e veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, parashikuar nga Nenet 76 e 22 të Kodit Penal.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb