Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë një njoftim zyrtar urgjent për evakuim të menjëhershëm të banorëve në Bashkinë Vlorë, konkretisht në Njësinë Administrative Novoselë, si pasojë e situatës së rënduar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Sipas njoftimit, masa e evakuimit ndërmerret në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile si dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile. Autoritetet theksojnë se vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe ka karakter emergjent.

Evakuimi do të realizohet përmes një koordinimi të ngushtë ndërinstitucional mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektit të Qarkut Vlorë dhe strukturave të emergjencave civile në bashki. Në bazë të legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin dhe zbatimin e evakuimit në territorin përkatës.

Autoritetet bëjnë me dije se prioritet absolut në procesin e evakuimit do të kenë: fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, familjet që ndodhen në zona të izoluara.

Transporti për largimin e banorëve nga zonat e rrezikuara do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) si dhe Forcat e Armatosura.

Sa i përket strehimit të qytetarëve të evakuuar, Ministria e Mbrojtjes sqaron se menaxhimi i tyre do të kryhet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës. Gjatë këtij procesi do të realizohet regjistrimi i të evakuuarve në ambientet e strehimit të përkohshëm, sigurimi i nevojave bazë si ushqimi, veshmbathja dhe ndihma mjekësore, si dhe informimi periodik mbi ecurinë e situatës.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e dhëna në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse, duke theksuar se çdo kërkesë për ndihmë duhet t’u drejtohet institucioneve publike të angazhuara në operacion.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb