Vetëm pak ditë më parë, prindërit e E. Aliut, një djalë 6-vjeç, kishin dorëzuar çertifikatën personale në shkollën ku ai do të niste klasën e parë këtë shtator në qytetin e Peqinit. Vjeshta do të shënonte fillimin e një kapitulli të ri për të ,por në vend të hapit të parë drejt shkollës, jeta e tij u ndërpre tragjikisht këtë të martë në rrjedhën e lumit Shkumbin, ku dyshohet se kishte shkuar për t’u larë i vetëm.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 qershor 2025, kur rreth orës 19:50.Më herët shtetasja D. Aliu kishte njoftuar  Policinë e Peqinit se nipi i saj 6-vjeçar kishte humbur dhe nuk ishte parë prej më shumë se tre orësh. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë , të afërm të familjes së 6 vjeçarit dhe  banorë të qytetit të Peqinit nisën kërkimet intensive përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin në afërsi të lagjes “Çezme”.

Rreth orës 21:30, trupi i pajetë i të miturit u zbulua nga një peshkatar amator i zonës në një zonë të thelluar të lumit, ku është krijuar një gropë mjaft e thellë si pasojë e shfrytëzimit të rrjedhës së Shkumbinit për nxjerrjen e inerteve. Gjatë këqyrjes paraprake të trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se 6-vjeçari është mbytur aksidentalisht në lumin Shkumbin. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për vlerësim të mëtejshëm juridik. Policia dhe autoritetet vendore kanë shprehur ngushëllimet për familjen, ndërsa bëjnë thirrje për kujdes të shtuar ndaj fëmijëve, veçanërisht në afërsi të zonave të rrezikshme si lumenjtë dhe hapësirat ujore të pambrojtura. Lajmi i humbjes së 6-vjeçarit ka tronditur opinionin publik në Peqin , duke rikthyer në vëmendje nevojën për masa më të forta sigurie dhe mbikëqyrje në mjediset e hapura ku fëmijët lëvizin.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 19:50 të datës 10.06.2025, ka njoftuar shtetasja D. A. se prej 3 orësh, kishte humbur nipi i saj 6-vjeçar. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e të miturit dhe rreth orës 21:30, kanë gjetur trupin e pajetë të tij, buzë lumit Shkumbin, konkretisht në lagjen “Çezme”. Gjatë këqyrjes paraprake të trupit të të miturit, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nga hetimet e deritanishme, dyshohet se ai është mbytur në lumë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim vlerësimin juridik të rastit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: