Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. Vendimi është marrë nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), i cili ka përcaktuar edhe kriteret dhe afatet për kandidatët.

Sipas dokumentit zyrtar, procesi bazohet në nenet përkatëse të statutit të partisë dhe në vendimin e Kryesisë së PD-së të datës 17 mars 2026. Afati për dorëzimin e kërkesave për kandidim është caktuar data 30 prill 2026, ora 12:00.

Sipas shkresës kandidatët që synojnë drejtimin e Partisë Demokratike duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përcaktuara qartë. Mes tyre përfshihet detyrimi për të qenë anëtarë të PD-së me një profil të lartë publik dhe politik, si dhe me një angazhim të paktën 10-vjeçar në parti. Po ashtu, kërkohet eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal në beteja politike dhe për çështje qytetare.

Një tjetër kusht i vendosur është përmbushja e kritereve të ligjit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen ose ushtrojnë funksione publike.

Dokumentacioni për kandidim duhet të dorëzohet pranë KOKOE dhe përfshin kërkesën me shkrim, shprehjen e interesit dhe curriculum vitae, ndërsa kërkohet gjithashtu edhe formulari i plotësuar i pastërtisë së figurës.

Vendimi mban firmën e kryetares së komisionit, Albana Vokshi, dhe hyn në fuqi menjëherë, duke i hapur rrugë një gare të re për drejtimin e Partisë Demokratike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb