Një sherr mes të rinjve në një lokal në Vlorë ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas policisë disa persona janë konfliktuar në ambientet e jashtme të lokalit, dhe njëri prej tyre ka pasur pasur armë zjarri me vete.

Gjatë konfliktit 25-vjeçari Mauricio Alushaj ka marrë armën e zjarrit nga shoku i tij, shtetasit 19 vjeç Arbri Hysaj  dhe më pas ka qëlluar në ajër.

Të rinjtë janë arrestuar në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë.

Njoftimi i policisë:  

Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale me pasoja për jetën, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë.

Vihen në pranga dy shtetas, njëri prej të cilëve qëlloi me armë zjarri në ajër, gjatë një konflikti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar 2 autorët, konkretisht shtetasit:

* A. H., 19 vjeç, banues në Vlorë;
* M. A., 25 vjeç, banues në Orikum.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë një konflikti fizik midis 2 shtetasve të mësipërm dhe disa personave të tjerë, shtetasi M. A. ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, shtetasi A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të patrullës, u bë e mundur neutralizimi dhe kapja e dy shtetasve, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb