SPAK dhe BKH kanë zhvilluar një aksion në Elbasan gjatë ditës së sotme. Mësohet se është shoqëruar në komisariat Leli Kaja. Ai është vënë në pranga, në kuadër të hetimeve për menaxhimin e mbetjeve dhe marrëdhëniet e kompanisë që drejton me bashkitë.
Kaja është arrestuar në zonën e Fushë Mbretit.
Emri i Leli Kajës ishte shfaqur më herët në një hetim të Prokurorisë së Elbasanit lidhur me veprimtarinë e subjektit që drejton.
Procedimi penal, i nisur në vitin 2024, ka pasur në qendër marrëdhëniet administrative dhe financiare të kompanisë “ECO-ELB” me tetë bashkitë e qarkut Elbasan. Në kuadër të veprimeve hetimore, prokurorët kanë marrë deklarime nga 43 persona, ndërsa janë verifikuar edhe rolet e disa funksionarëve vendorë, mes tyre zëvendëskryetarë bashkish, drejtues të sektorëve juridikë dhe përgjegjës të financave.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit ka qenë shqyrtimi i fondeve të paguara nga bashkitë për shërbimet që lidhen me administrimin e mbetjeve. Hetuesit po kontrollojnë nëse shërbimet e faturuara nga kompania, përfshirë trajtimin, depozitimin dhe djegien e mbetjeve, janë ofruar në mënyrën dhe në periudhat e përcaktuara në kontrata.
Dyshimet e ngritura gjatë verifikimeve kanë të bëjnë me mundësinë që në raste të caktuara shërbimet të jenë kryer në mënyrë të pjesshme, vetëm për një periudhë të caktuar ose të mos jenë realizuar, ndërkohë që pagesat nga fondet publike janë kryer.
Në qershor të vitit 2025, të dhënat e bëra publike nga hetimi tregonin se tetë bashkitë kishin kryer gjithsej 668 pagesa të lidhura me këto shërbime. Prokuroria po krahasonte dokumentacionin financiar me kontratat dhe shërbimet e deklaruara, për të përcaktuar nëse detyrimet e parashikuara në marrëveshje ishin përmbushur realisht.
Çështja po hetohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqmenaxhimit të mbetjeve”.
