SPAK ka kryer kontrolle në një kompleks luksoz në jug të vendit. News24 mëson se kontrollet janë kryer në dy vila të Ergys Agasit dhe në një vilë të Ermal Beqirit.

Kontrollet janë kryer me vendim të GJKKO. Hetuesit e BKH kanë marrë materiale dhe pajisje nga vilat.

Prokuroria e posaçme prej gati një viti ka hetuar procedurat e 12 tenderave të AKSHI, që dyshohet se janë bërë në shkelje të rënda ligjore. Ndërkohë personat e përmendur më sipër, por dhe zyrtarë të tjerë, mes tyre edhe ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësen e saj Hava Delibashi, akuzohen për shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Prokurorinë e Posaçme lëshoi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, për ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Karçanaj. Mbi të ka dyshime për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.

SPAK po heton 12 procedura tenderuese që dyshohet se janë paracaktuar, me vlera të larta që lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme shtetërore. Hetimet kanë zbuluar se kriteret e tenderave dyshohet të jenë diktuar nga kompanitë pjesëmarrëse, duke krijuar terren për fitime të garantuara me miliona euro.

Në hetim është edhe biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”. Ndaj tij SPAK ka caktuar masën ‘arrest me burg’. Sipas SPAK, dyshohet se Beqiri ka përfituar shuma të konsiderueshme nga procedurat e kontestuara.

Masa e arrestit në burg është dhënë nga SPAK dhe GJKKO edhe për biznesmenin tjetër, Ergys Agasi i cili gjithashtu ndodhet në arrati.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: