Një sasi e konsiderueshme lënde e rrezikshme është zbuluar pasditen e së shtunës afër një hoteli në qytetin bregdetar të Durrësit, objekt në pronësi të ish-kreut të Bashkisë, Vangjush Dako.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.1, në afërsi të gjimnazit “Gjergj Kastrioti”.
Pajisja, që dyshohet të ketë përmbajtje eksplozive të llojit tritol, ishte e montuar bashkë me një telefon celular – shenjë që lë të kuptohet se mund të ishte e përgatitur për t’u aktivizuar në distancë.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e rendit dhe njësitë xheniere kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.
Zona është izoluar për arsye sigurie dhe më pas është realizuar një shpërthim i komanduar, për të neutralizuar rrezikun.
Deri tani nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e mjetit shpërthyes, ndërsa autoritetet kanë nisur këqyrjen e pamjeve nga kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e autorit apo autorëve të mundshëm.
SPAK ka hetuar Vangjush Dakon për keqpërdorim të kompetencave si kryetar bashkie, pasi ai dhe stafi i tij miratuan lejen e ndërtimit për shoqërinë Fakle sh.p.k dy vjet pas përfundimit të ndërtimit dhe banimit në objekt.
Hetimi zbuloi se objekti shumëkatësh ishte ndërtuar pa leje dhe nuk përputhej me projektin e miratuar nga bashkia. Gjithashtu, Dako akuzohet për një procedurë prokurimi të parregullt për një projekt të Promenadës Bregdetare, ku fondi limit u llogarit gabim nga komisioni i tij, duke e tejkaluar shumë herë shumën e lejuar nga Këshilli i Ministrave.
