Policia ka gjetur një automjet tip Audi A4, i cili dyshohet se është përdorur nga vrasësit e çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, ngjarje e cila ndodhi ditën e diel.

Makina u gjet në zonën e fshatit Torovicë, në një rrugë dytësore, në tokë arë, pranë një kanali. Po në këtë zonë, u gjet ditën e djeshme edhe makina tjetër e përdorur në atentatin e të dielës, një Volkswagen Polo.

Sakaq, me qëllim kryerjen e verifikimeve më të specializuara, automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike.

Njoftimi i policisë:

Lezhë / Vijojnë veprimet e thelluara hetimore dhe kontrollet në terren për sigurimin e të gjitha provave që shërbejnë për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren.

Si rezultat i hetimeve, informacioneve të siguruara dhe kontrolleve të imtësishme në terren, të kryera nga shërbimet, në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore, në tokë arë, pranë një kanali, u gjet një automjet tip “Audi A4”, i cili dyshohet se është i përfshirë në dinamikën e ngjarjes dhe se është përdorur nga bashkautorët, të cilët kanë pasur rolin e vëzhguesve të lëvizjeve të viktimave.

Gjatë këqyrjes së tij, brenda automjetit u gjetën dokumentacione që u përkisnin autorëve të shpallur në kërkim.

Me qëllim kryerjen e verifikimeve më të specializuara, automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike.

Ndërkohë, në mënyrë intensive dhe të pandërprerë, vijon kontrolli i zonave për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb