Gjykata e Apelit në Gjirokastër ka dhënë vendimin ndaj të akuzuarve Et’hem dhe Dino Muho të cilët u shpallën sot përfundimisht fajtor për vrasjen e Alket Muhos në 6 shtator të 2018 në fshatin Rabije Bashkia Memaliaj.

Seanca e sotme gjyqësore ka filluar me tensione pasi familjarët e dy të akuzuarve kanë kërkuar rënien e akuzave për vrasje nga ana e prokurorit të çështjes Julijan Çafka i cili ishte ai që apeloi vendimin e datës 26 tetor të 2021 të dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit në Gjirokastër. Ky vendim i dhënë nuk përcaktonte armën e vrasjes së kryer ndërkohë që dënonte me 20 vjet burg Et’hem Muhon dhe me 17 vjet burg Dino Muhon.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Gjirokastër Sokol Pina me gjyqtaren tjetër ndihmëse Margarita Buhali mbi bazën e ankimit të prokurorit të çështjes Julijan Çafka ndryshoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Faktit në Gjirokastër dhe vendosi për masën e dënimit ku Dino Muho u deklarua fajtor edhe për armëmbajtje pa leje ndërkohë që në shkallën e parë arma nuk doli në vendim. Në bashkim të dënimeve Dino Muho u dënua nga 17 që ishte dënuar nga Gjykata e Faktit në 19 vjet burg.

Ndërsa i ati i tij Et’hem Muho nga 19 vjet të dhënë nga Gjykata e Faktit në 22 vite burg. Ky vendim u ekzekutua në sallën e gjyqit menjëherë duke thirrur policinë e cila u vendosi prangat dy të dënuarve për vrasje me paramendim. Në vendimin e përmbledhur dhënë nga Apeli i Gjirokastrës u provua dhe vërtetua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Et’hem dhe Dino Muho janë autorë të vrasjes me paramendim të Alket Muhos në datë 6 shtator të 2018 në fshatin Rabije të Memaliajt. Gjatë kësaj periudhe dy të dënuarit qëndronin në arrest shtëpie për shkak të shkeljes së afateve të ankimimit të vendimit për masën e arrestit.

Nga tërësia e veprimeve dyshohet se dy autorët, kushërinj me viktimën e kanë kryer krimin për shkak të konflikteve të përsëritura me motive pronësie, në fshatin e origjnës së autorëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb