KORCE
Një person është vrarë me armë zjarri në qytetin e Korçës. Burime për “Balkanweb’ bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 në periferi të qytetit në një zonë tejet të banuar. Mësohet se viktima Altin Balliu, 35 vjeç nga fshati Slabinje i Pogradecit ka gjetur vdekjen në vend pas plagëve të marra. Dyshohet se para ngjarjes, ka patur sherr në një lokal mes viktimës dhe autorit.
Autori i dyshuar i ngjarjes, është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.
Sipas policisë dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që viktima ka pasur me autorin e ngjarjes. Mësohet se makina luksoze e viktimës është me targa AA947VA. Autori ka qëlluar me një plumb makinën e viktimës. 35-vjeçari ka dalë nga makina, autori e ka ndjekur dhe e ka qëlluar me plumb në kokë duke e lënë të vdekur.
Dëshmitarët thanë për News24, se ka pasur një sherr masiv në lokal që kanë përfunduar deri në vrasjen e 35-vjeçarit por ende nuk janë të qarta rrethanat. Trupi i viktimës u gjet nga banorët në mes të një blloku banimi.
“Pak minuta më parë, rreth orës 21:25, në lagjen nr 10 në Korçë, është vrarë dyshohet me armë zjarri një shtetas rreth 35 vjeç, ende i paidentifikuar. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që viktima ka pasur me autorin e ngjarjes. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi policia pak minuta pas ngjarjes.
(BalkanWeb)
