Zgjaten me 3 muaj të tjerë hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, sa i takon çështjes së tij të hapur për aferën e inceneratorëve. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Mësohet se zgjatja është bërë për shkak se ende nuk kanë mbërritur përgjigjet për letërporositë. Kujtojmë se kjo është hera e pestë që SPAK shtyn hetimet ndaj ish-zyrtarit, dhe tashmë si datë përfundimtare e hetimeve mbetet 23 nëntori.
Ahmetaj po hetohet me masë sigurie në mungesë, lidhur me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në kuadër të dosjes së inceneratorëve. Të pandehura për këtë çështje, SPAK ka marrë edhe ish-bashkëshorten dhe bashkëjetuesen e Ahmetajt, të cilat akuzohen për pastrim parash, ndërsa javë më parë janë vënë nën sekuestro edhe disa pasuri. Ahmetaj është i shpallur në kërkim me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, pasi akuzohet për dosjen e inceneratorëve dhe shpërdorimit me detyrën. Gjithashtu ai është nën hetim edhe për dosjen “Buka”.
