Sali Berisha ka paralajmëruar lajme të hidhura për Edi Ramën, duke theksuar se ky i fundit ka arsye të shqetësohet për pasojat e zhvillimeve të fundit.

Ai nënvizon se jo vetëm që mitingjet e fundit në diasporë kanë pasur një impakt të fortë ndaj Ramës, por çështja McGonigal po kthehet në një temë të nxehtë në diskursin publik.

Dosja Rama-McGonigal, sipas Berishës, po bëhet gjithnjë e më aktuale, pas zbulimeve që lidhin Edi Ramën me zyrtarin e lartë të FBI-së, i cili dyshohet se ka marrë një shumë të madhe parash nga zyra e kryeministrit.

Berisha e shikon këtë si një çështje të rëndë, që mund të çojë në pasoja serioze për Edi Ramën dhe ata që përpiqen ta mbulojnë këtë skandal të madh.

“Së fundi, ka lajme të hidhura për Edi Ramën.
Edi Rama ka arsye të hidhërohet shumë.
Jo vetëm nga ato mitingje që e lanë pa frymë, që pa këto dy ditë, por po qarkullon çdo ditë çështja McGonigal po kthehet në tryezë.
Dosja Rama-McGonigal po bëhet aktuale.
Gazetarë kolosë investigativë e kanë rikthyer përsëri këto ditë.
Dhe dihet se McGonigal është një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së, që u mor me gjahun e presidentit Donald Trump personalisht.
Por, dihet që ai individ mori nga Edi Rama 225 mijë dollarë nga zyra e Ramës.
Tani, Altin Dumani, prej 1 vit e gjysmë, e mban në sirtar dosjen dhe ai nuk ka kërkuar akoma dosjen e gjykatës së Uashingtonit, sepse do me çdo kusht të mbrojë Edi Ramën. Mirëpo kësaj kohe i erdhi fundi.
Do gjykohet rëndë Edi Rama për krimin e tij të shëmtuar dhe të gjithë ata që përpiqen të mbulojnë krimin monstruoz të korruptimit të zyrtarit ndër më të lartët në çështjet e sigurisë së SHBA.
Kështu që ky është një lajm i hidhur dhe e garantoj që edhe më i hidhur do të bëhet për Ramën. Të jetë i përgatitur”, tha Berisha në konferencë për shtyp.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb