Deputetja aktuale e qarkut të Vlorës, Brunilda Mersini do të jetë kandidatja e PS për bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit.
Drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Blendi Çuçi tha se kryesia e PS vendosi kandidaturën e Mersinit, nisur nga eksperienca e saj e gjatë në politikë, si një drejtuese prej vitesh në bashkinë e Vlorës.
“Në kushtet e krijimit të beftë të vakancës në bashkinë e Vlorës, për shkak të dorëheqjes së kryetarit të bashkisë, menduam të kishim një kandidat për këtë pjesë të mandatit, që do të ishte dhe me eksperiencë menaxheriale për të mbuluar gjithë atë vakuum të krijuar nga dorëheqja e kryetarit të bashkisë por dhe një figurë politike me eksperiencë në politikë po aq të gjatë. Kandidatja që sapo miratuam në kryesi plotëson këto kushte dhe ajo është deputetja aktuale e qarkut të Vlorës, Brunilda Mersini dhe një nga ish-drejtueset më të suksesshme gjithë këto vite në bashkinë e Vlorës”, tha deputeti Blendi Çuçinë deklaratën e tij për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së.
