Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 108, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Gëzim Bakalli (alias Shkembim Cërmanji) dhe Erjon Loci, dy “kokat” e grupit kriminal që drejtonin trafikun e drogës drejt Zvicrës.

Gëzim Bakalli (i njohur edhe me aliasin Shkëmbim Cërmanji),  kishte rolin e drejtuesit dhe financuesit të grupit kriminal, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në 15 episode, si dhe për falsifikim të dokumenteve të ndryshme kosovare.

Erjon Loci, ishte një nga bashkëpunëtorët kryesorë në transportimin dhe shpërndarjen e drogës në Zvicër, i akuzuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve në 6 episode.

Gjykimi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flora Hajredinaj dhe Rudina Palloj, me vendimin nr. 11, datë 10.02.2026, vendosi si më poshtë:

Gëzim Bakalli (alias Shkembim Cërmanji)

Gjykata e deklaroi fajtor për veprat penale:

Trafikimi i narkotikëve, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë

(nenet 283/a/2 – 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal)

18 vjet burgim

Grup i strukturuar kriminal, në formën e drejtimit

(neni 333/a/1 i Kodit Penal)

4 vjet burgim

Falsifikimi i dokumenteve

(neni 186/1 i Kodit Penal)

1 vit burgim

Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave

(neni 189/1 i Kodit Penal)

1 vit burgim

Falsifikimi i akteve të gjendjes civile

(neni 191/1 i Kodit Penal)

1 vit burgim

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, u caktua një dënim i vetëm prej 19 vjet burgim, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar (neni 406/1 i K.Pr.Penale), u ul me 1/3, duke u konvertuar në:

12 vjet e 8 muaj burgim

Dënimi do të vuhet në një institucion të ekzekutimit të veprave penale të sigurisë së lartë.

Erjon Loci

Gjykata e deklaroi fajtor për veprat penale:

Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë

(nenet 283/2 – 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal)

12 vjet burgim

Grup i strukturuar kriminal, në formën e pjesëmarrjes

(neni 333/a/2 i Kodit Penal)

2 vjet burgim

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, u caktua një dënim i vetëm prej 12 vjet burgim, i cili pas uljes me 1/3 për gjykimin e shkurtuar u konvertua në:

8 vjet burgim

Dënimi do të vuhet në burg të sigurisë së lartë, duke filluar nga dita e arrestimit.

PROVAT MATERIALE

Gjykata vendosi që:

Disa dokumente, pajisje elektronike dhe sende personale të sekuestruara të qëndrojnë në fashikullin e hetimit të procedimit të ndarë nr. 108/1, viti 2025.

Dokumentet e falsifikuara (pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi kosovare) të asgjësohen, në përputhje me ligjin.

SHPENZIMET DHE ANKIMI

Shpenzimet procedurale të fazës së hetimit në shumën 43,630 lekë, si dhe shpenzimet gjyqësore, i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve nga njoftimi i tij, pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb