Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin në lidhje me kërkesën e Erion Veliaj. Bëhet fjalë për pranim të plotë të kërkesës së Veliajt, pra praktikisht kthimin e tij në detyrë.
Sipas GJK, Veliaj rikthehet në postin e kryebashkiakut të Tiranës, duke rrëzuar vendimin e marrë nga qeveria për shkarkimin e tij nga detyra. Njëkohësisht, shfuqizohet edhe dekreti i presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme bashkiake në Tiranë.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se anëtarët e GJK votuan 5 pro Veliajt dhe tre kundër.
Kujtojmë se Erion Veliaj kërkoi rrëzimin e shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, si dhe rrëzimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj që dekretoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale edhe në Bashkinë e Tiranës.
Në mbrojtjen e tij në seancën në Kushtetuese, Veliaj u shpreh se po përballet me një proces të padrejtë dhe me një situatë që, sipas tij, përbën shkelje të të drejtave themelore dhe të vullnetit të qytetarëve.
“Beteja ime vjen pas një sage të gjatë dhe zhgënjyese. Jam rrëmbyer nga zyra ku më kanë zgjedhur qytetarët dhe jam mbyllur në një regjim burgosjeje më të rëndë se vrasësit serialë. Sot kam më shumë policë rreth vetes sesa avokatë,” tha Veliaj.
Ai shtoi se periudha e fundit ka qenë e mbushur me shkelje të të drejtave të tij dhe me një fushatë denigrimi ndaj figurës së tij.
“Jam zgjedhur tri herë radhazi nga qytetarët e Tiranës. Kjo që po ndodh është një përçmim ndaj votës, ndaj gjësë më të shenjtë që ka demokracia. Është një përçmim ndaj forcës që kanë qytetarët për të zgjedhur,” deklaroi ai.
Veliaj theksoi se para gjykatës nuk ndodhej për të mbrojtur veten, por për të mbrojtur, siç tha ai, “demokracinë që sot po vihet në sprovë”.
“Nuk jam këtu të mbroj veten, sepse nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu me respektin për të kërkuar një gjë: a mund ta mbrojmë bashkë demokracinë? Ky nuk është mandati im personal, por një besëlidhje publike që më kanë dhënë qytetarët e Tiranës me vullnetin e tyre të lirë. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe do ta mbroj deri në fund,” u shpreh ai.
Veliaj theksoi se askush nuk ka të drejtë t’i ndërpresë mandatin një të zgjedhuri para afatit, përveç rasteve kur provohen shkelje të rënda të ligjit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese në datën 03.11.2025 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimit nr. 539/2025 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë; shfuqizimin e dekretit nr. 350/2025, të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si dhe pezullimin e efekteve të këtij dekreti.
Gjykata vlerësoi fillimisht, njëzëri, se ajo ka juridiksion për kontrollin e VKM-së nr. 539/2025, pasi neni 115, pika 2, i Kushtetutës i ka dhënë asaj kompetencën të shqyrtojë vendimin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë si organ i zgjedhur drejtpërdrejt i qeverisjes vendore. Kjo kompetencë i është dhënë Gjykatës me qëllim mbrojtjen e parimit të autonomisë vendore dhe të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Në kuptim të nenit 115, pika 1, të Kushtetutës shkarkimi nga detyra i organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore është një koncept kushtetues.
Gjykata theksoi, gjithashtu, se në jurisprudencën e saj të deritanishme ka përjashtuar nga juridiksioni kushtetues vetëm rastin e mbarimit të mandatit të kryetarit të bashkisë sipas neneve 6/1 dhe 179/1 të Kushtetutës (procesi i dekriminalizimit), ndërsa në të gjitha rastet e tjera të shkarkimit, sikurse në rastin konkret, ajo ka pranuar juridiksionin e saj për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të organeve të zgjedhura drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore. Gjykata ritheksoi se atë që nuk ka dashur ta thotë Kushtetuta, nuk mund ta thotë ligji, sepse në të kundërt ekziston mundësia e kufizimit me ligj të garancive kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, çka, në thelb, kufizon vetë kompetencën e saj. Gjykata është organi që ka kompetencën për kontrollin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm nga kjo Gjykatë, e cila thotë fjalën e fundit.
Në lidhje me pretendimet e kërkuesit, Gjykata i shqyrtoi ato në themel në kuadër të procesit të rregullt të lidhur me masën e shkarkimit, me përjashtim të pretendimit për prezumimin e pafajësisë për të cilin ajo vendosi rrëzimin. Në këtë pikë, Gjykata vlerësoi të theksojë se shqyrtimi dhe vlerësimi i çështjes ka të bëjë vetëm me procesin e shkarkimit të kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pra jo me procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij.
Në kushtet kur pranoi në juridiksionin kushtetues VKM-në nr. 539/2025, Gjykata, bazuar në jurisprudencën e saj, në lidhje me të drejtën për proces të rregullt i shqyrton rastet e shkarkimit të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore si gjykim në themel të çështjes, duke vepruar si gjykatë fakti dhe ligji, duke analizuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit dhe të aktit. Në thelb, Gjykata shqyrton nëse shkaku i shkarkimit përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve dhe nëse Këshilli i Ministrave ka respektuar procedurat për ta motivuar dhe arsyetuar plotësisht vendimin e shkarkimit.
Gjykata vlerësoi se neni 62 i ligjit nr. 139/2015 është detajim i nenit 115, pika 1, të Kushtetutës. Kjo normë kushtetuese nuk i ka deleguar ligjvënësit të zakonshëm parashikimin e rasteve të tjera për shkarkim përveç atyre të përcaktuara prej saj, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve. Në lidhje me këtë, tre gjyqtarë mbajtën qëndrimin se të gjitha parashikimet e shkronjave “a”, “b” dhe “c” të nenit 62 të ligjit nr. 139/2015 janë miratuar nga ligjvënësi në kuptim të delegimit kushtetues të nenit 115 të Kushtetutës.
Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
Gjykata theksoi se procesi i rregullt kërkon përmbushjen e garancive procedurale të individit, të cilat përbëjnë detyrim të organeve publike që realizojnë procesin dhe në asnjë rast nuk mund të zhvendoset barra nga këto organe te individi. Në këtë kuptim, vetëm marrja dijeni për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak nuk çliron organin publik për të garantuar të gjitha detyrimet si më sipër.
Po kështu, Gjykata, vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e kërkuesit nga detyra sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese.
Për këto arsye, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se kërkuesit i është cenuar e drejta për proces të rregullt e lidhur me masën e shkarkimit, prandaj vendosi shfuqizimin e VKM-së nr. 539/2025.
Në lidhje me dekretin e Presidentit të Republikës, Gjykata theksoi se për sa kohë kontrolli i shkarkimit nga detyra të organit të qeverisjes vendore sipas nenit 115, pika 2, të Kushtetutës i përket juridiksionit kushtetues, edhe kontrolli i akteve të pushtetit publik të nxjerra si rrjedhojë dhe për shkak të vendimit të shkarkimit dhe krijimit të vakancës, siç është dekreti i Presidentit të Republikës, i përkasin po ashtu juridiksionit kushtetues. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se nuk ka nevojë të ndiqen rregullat për shterimin e mjeteve në gjykatën administrative, sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f” të Kushtetutës.
Duke qenë se shfuqizoi VKM-në nr. 539/2025, me qëllim riparimin e pasojave që vijnë nga dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, në konsideratë të nenit 115, pika 3, të Kushtetutës, Gjykata vendosi të shfuqizojë edhe këtë dekret pasi është një akt i nxjerrë për plotësimin e vakancës të krijuar nga VKM-ja për shkarkimin nga detyra të kërkuesit.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:
- Pranimin e kërkesës.
- Shfuqizimin e vendimit nr. 539, datë 25.09.2025 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
- Shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
- Vazhdimin e masës së pezullimit të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
