Një incident i dyshuar me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Pjetër Budi”, pranë një spitali në kryeqytet. Sipas informacionit paraprak nga policia, rreth orës 03:55, në parkingun pranë godinës spitalore është dyshuar se është vendosur një sasi e vogël lënde plasëse në gomën e parë të një automjeti në pronësi të shtetases M. K.
Fatmirësisht, nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe nuk ka persona të lënduar. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë në lidhje me motivet apo personat e përfshirë në këtë ngjarje.
Informacion paraprak
Rreth orës 03:55, të datës 01.05.2025, në rrugën “Pjetër Budi”, dyshohet se në parkingun në afërsi të një spitali, është vendosur një sasi e vogël e dyshuar lëndë plasëse në gomën e parë të automjetit në pronësi të shtetases M. K. Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe sqarimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
