GJKKO ka liruar nga qelia ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka pasi qëndroi në burg për 4 vite.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se Gjykata e Posaçme ka shuar masën e sigurisë “arrest me burg” për inceneratorin e Fierit.
Sa i takon dënimit prej 6.8 vite burg për inceneratorin e Elbasanit, Koka ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit ndërsa për dënimin për inceneratorin e Tiranës e ka shlyer dënimin me kohën e paraburgimit.
Për inceneratorin e Fierit çështja është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë, pasi shkalla e parë e dënoi me 6.8 vite burg.
Lefter Koka mori shuarje të masës arrest në burg për inceneratorin e Tiranës pasi dënimi me 2 vite burg për “shpërdorim detyre” në shkallë të parë është ezauruar me afatet e qëndrimit në paraburgim.
Koka u arretua që prej dhjetorit 2021 pasi ndaj tij u ngritën akuzat për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash lidhur me inceneratorin e Fierit. Sipas akuzave të SPAK, për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.
