Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi sot në mbledhjen e Kryesisë organizimin e protestës kombëtare më 22 dhjetor në Tiranë.
Tubimi do të nisë në orën 17:00, para Kryeministrisë.
Kjo do të jetë protesta e parë kombëtare pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe vjen pas katër foltoreve të organizuara gjithashtu para Kryeministrisë, të cilat u kritikuan për pjesëmarrjen e ulët.
Një nga kritikët e këtyre foltoreve ishte anëtari i Kryesisë së PD, Ervin Salianji, i cili ndërkohë ka nisur takime me demokratët në terren, duke kërkuar rifreskimin e opozitës dhe konfigurimin e aksionit politik.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD, Sali Berisha deklaroi se protesta do të jetë e vetmja rrugë që do të ndjekë opozita, ndërsa i përcolli një mesazh në dukje edhe Salianjit kur tha se çdo alternativë tjetër shërben si zjarrfikëse e reagimit opozitar, në përballje me Qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
