SPAK (Struktura e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit) firmos disa urdhër arreste në lidhje me dosjen e famshme të përgjimeve 339. Mësohet se gjatë natës janë kryer aksione në Tiranë dhe Durrës.

Lajmi konfirmohet nga burime brenda SPAK për “News 24” dhe “BalkanWeb”.

Mësohet gjithashtu se mes të arrestuarve ka edhe komisionerë të zgjedhjeve në Durrës.

Dosja 339 është pjesë e hetimeve që tronditën situatën politike ku mes të përgjuarve të disa grupeve kriminale në trafikun e lëndëve narkotike, kanë dalë edhe emrat e disa politikanëve për shitblerjen e votave. Dosja 339 ka 24 të pandehur, mes të cilëve Avdylajt e Shijakut dhe të akuzuarit për laboratorin e drogës në Brenog të Hasit, të akuzuar për disa vepra penale, nga trafiku i lëndëve narkotike, grupi kriminal dhe korrupsioni.

Kujtojmë se hetimet për këtë dosje kanë nisur që në vitin 2016, ndërsa në vjeshtën e vitit 2018 u finalizua operacioni “Vol-Vo 4”, ku u arrestuan 27 persona dhe u prenë 44 fletë arreste. Nga përgjimet e kryera për këtë dosje, u zbulua implikimi i punonjësve të Policisë dhe zyrtarëve të tjerë në vepra penale, për të cilat një pjesë janë duke u hetuar ende.

Në kuadër të kësaj dosje është marrë në pyetje edhe ish- Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako së bashku me zyrtarë të tjerë që kanë bërë fushatën në qytetin bregdetar. Kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni, ndërsa nuk kanë dalë detaje nga dëshmia e tij.

Përgjimet e zbardhura ku bisedonte me Avdylajt sollën akuza të forta nga opozita në drejtim të tij, ndërsa pas publikimit të tyre, Dako vendosi të mos garonte në 30 Qershor për një tjetër mandat.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb