SPAK sapo përfundoi 34 kontrollet te njerëz te besuar të zv/kryeministres Belinda Balluku, në kuadër të hetimeve që po zhvillon për numrin 2 të qeverisë.
Në fokus të kontrolleve ka qenë Sindi Dushku, shefe kabineti e Ballukut.
Kontrolle janë ushtruar edhe te bizneset dhe banesat e biznesmenëve Ilir Shtufi e Rrok Gjoka.
Oficerët e BKH dhe prokurorët e SPAK kanë ushtruar kontrolle edhe te zyrtarë të ARRSH dhe KESH.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se hetimet për Ballukun po intensifikohen pasi SPAK do të paraqesë në Kuvend prova të reja për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv/kryeministres.
Më herët janë kryer kontrolle në banesën e Viola Haxhiademi, ish sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtore e KESH-it, banesën e Gentian Gjyli ish drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie, si edhe në banesën e Erald Elezi, ish drejtori i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie.
Kontrollet janë bërë për të vijuar procesin e hetimit për dosjen hetimore ku zyrtari më i lartë nën akuzë është zv.kryeministrja Belinda Balluku. SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për heqjen e lirisë, por mazhoranca socialiste refuzoi dhënien e autorizimit, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të bëhet asnjë hap pa u shprehur Gjykata Kushtetuese në 22 janar.
