Sulmohet me breshëri automatiku shtëpia e prindërve të gazetares së News24 Klodiana Lala. “BalkanWeb” sjell pamje nga vendi i ngjarjes ku duken qartë shenjat e plumbave.

Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 03:00-04:00 të mëngjesit të sotëm, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të banesës së  babait të saj. Sic duket edhe në foto, plumbat kanë prekur muret e banesës, si edhe kasën e derës së jashtme te saj, ndërsa në vendngjarje janë gjetur 10 gëzhoja kallashnikovi.

Autorët e dyshuar janë pozicionuar pranë murit te jashtëm të banesës dhe kanë hapur zjarr. Në momentin e ngjarjes brenda banesës kanë qenë 8 persona, prindërit, motra, vëllai, të afërm të familjes dhe 2 vajzat e gazetares Lala përkatësisht 2 dhe 5 vjec. Vetë gazetarja dhe bashkëshorti i saj nuk ndodheshin në banesë.

Krismat kanë zgjuar të terrorizuar familjarët të cilët tentuan të dalin jashtë banesës ende pa u ndalur sulmi, pa kuptuar se shtëpia e tyre ishte shënjestra e agresorëve. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar.
Sapo ka mësuar mbi sulmin nga prindërit e saj, gazetarja Lala ka njoftuar policinë, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka kryer veprimet hetimore. Për zbardhjen e ngjarjes është interesuar personalisht edhe Ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë si edhe krerët më të lartë të uniformave blu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb