Një zjarr i madh ka përfshirë fabrikën e peletit në Maliq.

Ngjarja sapo ka ndodhur, ndërsa gazetarja Lorena Kodra sjell në redaksinë e “BalkanWeb” pamje nga vendngjarja.

Sipas raportimeve të para, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të madhe në fabrikë, ku shihen dhe shtëllungat e tymit.

Ndërkohë, zjarrfikësit dhe policia kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Nga të dhënat e para, raportohet se nuk ka dëme në njerëz.

Siç mëson gazetarja Kodra, zjarri ka përfshirë çatinë e fabrikës, aty ku punojnë njerëzit, por deri më tani nuk ka rrezikë, pasi fabrika ka shumë dalje.

Maliq/Informacion paraprak

Më datë 21.06.2022, rreth orës 13:30, në qytetin e Maliqit, ka rënë zjarr në një fabrikë të prodhimit të peletit. Si pasojë e flakëve, janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e zjarrfikëses të cilat po bëjnë të mundur shuarjen e zjarrit.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb