Pas transmetimit të emisionit “Me Zemër të Hapur” në News42, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, ku për herë të parë foli babai i Xhuana Nikollajt, duke dhënë një dëshmi rrëqethëse vetëm 24 orë pas varrimit të së bijës, opinioni publik u trondit thellë nga dhimbja dhe fjalët e tij.

Ai rrëfeu për redaksinë momentet e fundit, telefonatën e mëngjesit me të bijën, heshtjen e saj për gjithçka që mund të kishte përjetuar dhe vendimin e familjes për t’ia lënë drejtësisë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Një rrëfim i thjeshtë, por i mbushur me peshë dhe dhimbje, që ngriti shumë pikëpyetje mbi atë që kishte ndodhur pas dyerve të mbyllura.

Ndërkohë, u bënë publike edhe detaje të rënda nga ngjarja, përfshirë dyshimet për dhunë dhe rrethanat që paraprinë aktin tragjik, duke e bërë edhe më të fortë nevojën për të vërtetën.

Sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” transmetoi një tjetër dëshmi nga një familjare e ish-bashkëshortit të saj Eraldo Fizi, duke sjellë më shumë element mbi një histori që ka prekur mbarë opinionin publik dhe që kërkon drejtësi. Familjarja e Eraldos mohoi zërat se ish-vjehrra e Xhuanës ka ushtruar dhunë ndaj kësaj të fundit.

“I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes. Jemi të gjithë të shokuar për shumë arsye. Kam qenë shumë afër tyre, që nga ceremonia e fejesës e deri te dasma. Ishin një çift i lumtur dhe në sytë e tyre shihnim vetëm dashuri.

I shpreh ngushëllime familjes për të përballuar këtë dhimbje të madhe, një dhimbje që nuk ia uroj askujt, as armikut. Dua të jem e sinqertë: kam 40 vite që jam pjesë e kësaj familjeje dhe mund të them se janë njerëz të mrekullueshëm, jo të dhunshëm. Kurrë nuk do ta kishim menduar një gjë të tillë.

Të gjitha do të sqarohen nga drejtësia, por ajo që ka ndodhur nuk mund të kthehet më. Kushdo që hyn në këtë familje si nuse është konsideruar gjithmonë një bekim. Lajmin e morëm përmes televizorit dhe reagimi ynë ishte i menjëhershëm, me ulërima. Ende na duket e pabesueshme dhe dhimbja është aq e madhe sa nuk gjejmë fjalë për ta shprehur.

Nga sa kam parë dhe përjetuar unë, dhimbjen e ndjen edhe familja e djalit. Nuk kanë pasur raste dhune dhe nuk besoj se ka pasur të tilla. Nuk e dinim që ishin ndarë dhe u tronditëm kur ndodhi ngjarja. Ai punonte në Mal të Zi; nuk besoj se ka qenë në Itali. Ishin një familje punëtore.

Eraldon e kam takuar që në kohën e dasmës. Pas ngjarjes kam folur me familjarët dhe ata janë të shokuar, vetëm qajnë dhe e kanë të vështirë ta besojnë. Nuk e di pse Eraldo u arratis. Para dasmës ai kishte pësuar edhe një paralizë faciale.

Nuk e dimë si ndodhi kjo tragjedi. Kemi një javë pa gjumë. Kam një mesazh për gjithë rininë: dhuna nuk është kurrë zgjidhje, nëse ka pasur një të tillë.

Ata janë njohur që në adoleshencë, që në vitin e tretë të gjimnazit. Unë kam parë vetëm lumturi në sytë e tyre. Nuk mendoj se një nënë mund të nxisë djalin e saj për të dhunuar nusen. Ish-vjehrra e saj është një grua shumë e ndjeshme dhe e dhembshur. Ajo ishte shumë e lumtur kur organizoi dasmën e tyre”, përfundoi familjarja e Eraldo Fizit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: