Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi një vizitë inspektuese në ambientet e IEVP Fier, ku edhe pati gjithashtu një takim me të gjithë drejtuesit e burgjeve të vendit. Qëllimi i takimit ishte për të diskutuar ecurinë e punës në sistemin e penitenciar, garantimin e sigurisë, kushtet, si dhe përpjekjen për të rritur standardet në trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Në nisje të fjalës së tij, ministri Lamallari evidentoi lajmin e mirë se me buxhetin e ri do të kryhet indeksimi i pagave për të gjithë punonjësit e sistemit të burgjeve, si dhe do të ketë rritje të pagave për personelin shëndetësor në IEVP-të tona. Konkretisht plus 12000 lekë për mjekët dhe 55000 lekë për infermierët. Për vetë natyrën e vështirë të punës së tyre, vëmendja e qeverisë për policinë dhe stafin e burgjeve as ka munguar dhe as do të mungojë ka thënë mes të tjerash Ministri Drejtësisë.

Lamallari e vlerësoi me rëndësi të veçantë sistemin e burgjeve dhe kërkoi nga drejtuesit angazhim maksimal për të ruajtur e forcuar parametrat e sigurisë dhe për të parandaluar futjen e sendeve të paligjshme.

Mes çështjeve të tjera që u përmendën në takim ishte edhe mbyllja e IEVP Bënçë, Tepelenë. Ministri i Drejtësisë tha se kjo ishte një vendimarrje e pashmangshme duke marrë parasysh kushtet e papranueshme të trajtimit dhe sigurisë që kishte ai burg. Lamallari përmendi këtu edhe raportin dhe rekomandimet e lëna nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës në Këshillin e Evropës, që vlerësonte se ky burg nuk përmbushte kushtet minimale. “Vendimarrja ishte e fortë, por e drejtë”, tha Mininistri i Drejtësisë në takim teksa shtroi nevojën që sistemi ynë i burgjeve duhet të përshtatet me pritshmëritë dhe kërkesat ndaj një vendi ulur në tryezën e negociatave me Bashkimin Evropian.

Pavarësisht këtij vendimi, Lamallari tha se punonjësve të IEVP Bënçë iu është dhënë mundësia të vijojnë të shërbejnë brenda sistemit të burgjeve në të gjithë vendin duke filluar me Fierin, të cilin e kanë edhe më afër, me transport falas të garantuar. Disa prej punonjësve tashmë e kanë kryer transferimin.

Në vijim të takimit ministri Lamallari përmendi masterplanin e burgjeve, i cili ka për synim të sjellë një transformim në të gjithë sistemin e menaxhimit të këtij sektori delikat. “Ne duhet të kemi një sistem të ngjashëm me standardet e BE për trajtimin e të burgosurve”, u shpreh ministri Lamallari teksa përmendi edhe takimin me homologun e tij italian, Carlo Nordio, të cilit i kërkoi gjithashtu mbështetje për sistemin e burgjeve përmes projekteve të ndryshme teknologjike dhe rehabilituese.

Kujtojmë se burgu i Bënçës në Tepelenë është mbyllur zyrtarisht, për shkak të mosplotësimit të kushteve për të burgosurit, ndërsa në një deklaratë të dhënë në qershor të këtij viti Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose bëri të ditur se restaurimi i tij është tepër i vështirë. Si pasojë e mbylljes së burgut, rreth 100 punonjës kanë mbetur të papunë, duke shkaktuar një situatë sociale të vështirë në zonë. Burimeve për Neës24 bëjnë të ditur se rreth 70% e personelit kanë dhënë dorëheqjen pasi nuk kanë mundur të përballojnë transferimet në qytete të tjera, ndërsa 30% vijojnë punën vetëm për një periudhë tranzitore prej rreth tre muajsh.

Urdhri zyrtar për mbylljen e burgut ka mbërritur vetëm një ditë pas zgjedhjeve dhe aktualisht janë duke u kryer procedurat e dorëzimit të institucionit dhe transferimit të të dënuarve.

Banorë dhe punonjës e konsiderojnë vendimin të papritur dhe të paqartë në argumentim, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar se çfarë funksioni do të ketë godina pas mbylljes dhe as nëse do të ketë alternativa punësimi për personelin aktual.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb