TIRANË – Afati i vetëdeklarimeve të ndërtimeve pa leje zgjatet deri më 31 janar 2015; pra, ai nuk do të mbyllet pas 5 ditësh, siç ishte caktuar më parë. Vendimin e ALUIZNI-t e ka bërë të ditur sot para medias, vetë Drejtori i Përgjithshëm, Artan Lame.

Lame shpjegoi se arsyeja kryesore për të cilën afati zgjatet edhe një muaj janë emigrantët, të cilët po kthehen në atdhe dhe duhet që t’iu jepet koha e duhur për të realizuar procedurat e për të mos i lënë në radha pikërisht ditët e festave. Afati i përcaktuar më parë për vetëdeklarimet ishte 10 shtator 2014 – 31 dhjetor 2014.

“Pasi u diskutua me Kryeministrin, u vendos që afati i vetdeklarimeve të ndërtimeve pa leje, të shtyhet nga 31 dhjetori 2014 për në 31 janar 2015,- tha Lame. – E bëjmë këtë shtyrje për disa arsye:

1. Për t’i dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve të përfshihen në procesin e legalizmimeve.

2. Ditët e fundit janë kthyer në atdhe në mënyrë masive mijëra emigrantë, një pjesë e të cilëve kanë problem me legalizimin. Nëpërmjet shtyrjes së këtij afati deri në 31 janar, u japim mundësi atyre që qetësisht të bëhen pjesë edhe ata të kësaj reforme.
Dua të informoj emigrantët dhe familjarët e tyre këtu, se ALUIZNI është duke hartuar një program për mundësimin e kryerjes së procedurave të vetëdeklarimit dhe të disa procedurave të tjera të legalizimit, direkt përmes konsullatave shqiptare në vendet kryesore të qëndrimit të tyre.

3. Shtyrja e afatit do të ulte presionin mbi sportelet tona, duke krijuar më tepër mundësi për një shërbim më cilësor qytetarët.

Dhe 4, do të dëshironim që këto ditë të fund-vitit, më mirë ti kalonin me përgatitjen e festave, sesa në rradhët e ALUIZNI-t.

Kështu pra, të 14 Drejtoritë Rajonale dhe të 11 sportelet shtesë të hapura prej nesh nëpër qytete, do të jenë në dispozicion të qytetarëve për kryerjen e procedurave të vetdeklarimt, deri në 31 Janar 2015.

Përfitoj nga rasti të sqaroj qytetarët që ata që kanë vetdeklaruar një herë gjatë këtyre viteve, nuk duhet të vetdeklarojnë rishtaz, sepse është vlefshëm dokumentacioni që kanë depozituar një herë.

Gjithashtu do t’i ftoja qytetarët që në këto ditë fundviti dhe në ditët e para të Vitit të Ri, t’u lënë mundësi më tepër emigrantëve të cilëve u duhet të kthehen në vendet e tyre të punës.
Bashkarisht e kemi nisur këtë reformë dhë bashkarisht do ta përfundojmë me sukses.

Sidoqoftë, edhe në këtë moment, dëshiroj t’u kujtoj të gjithë qytetarëve edhe një anë tjetër të këtij realiteti. Tashmë jemi të gjithë dëshmitarë të faktit se qeveria shqiptare po merr një sërë masash për disiplinimin e situatës urbane në vend.

Para disa ditësh në Kuvend u miratuan disa ndryshime në Kodin Penal, midis të cilëve edhe ai që i kthen ndërtimet pa leje në vepër penale të dënueshme deri në 3 vjet.

Veç kësaj, pas kësaj thirrjeje të fundit askush nuk mund të ankohet se nuk ka patur mundësi të kryejë procedura vetdeklarimi dhe se nuk ka patur mundësi të përfshihet në proces.
Dhe nuk duhet harruar se jo çdo gjë e ndërtuar do të ketë mundësi të legalizohet, vecanërisht kur flasim për kushtet ligjore që duhet të plotësojë çdo objekt.

Fokusi ynë do të jetë si deri tani i përqëndruar tek legalizimi i banesave, tek legalizmi i zona informale, proces i cili zgjidh hallin e pronës të këtyre qindra mijë qytetarëve.

Së fundi duke ju rikujtuar edhe një herë shtyrjen e datës së vetdeklarimeve deri në 31 Janar 2015, ju uroj të gjithë qytetarëve të interesuar, “Gëzuar Vitin e Ri 2015”, – përfundoi Lame.

Nga 10 shtatori 2014 deri më sot, në katër muaj, janë vetëdeklaruar 72.000 qytetarë të tjerë, që i shtohen shifrës prej 270 mijë të mëparshmëve, bërë në fushatat e nisura që nga viti 2005 deri në vitin 2013.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb