Nga ORNELA MANJANI
TIRANE– Ndërtimet e kryera pa leje në tokën e të tretëve dhe në tokështet edhe pas vitit 2009 do të legalizohen. Ndërtuesit do të paguajnë truallin, ndërsa procesi është falas. Ndërsa personat që kanë ndërtuar në tokën e tyre do të përfitojnë lejet e legalizimit dhe më pas certifikatën e pronësisë pa asnjë kosto. Projektligji për shtyrjen e afatit nga viti 2009 deri në vitin 2014 për legalizimin e ndërtimeve informale është prezantuar dje në Komisionin e Ligjeve nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili u është përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve.
“Në themel kemi të bëjmë me rreth 40-60 mijë ndërtime të kryera pas janarit të vitit 2009 deri më sot, meqenëse ndryshimet e Kodit Penal të futura në fuqi në janar 2009 kishin dy parashikime; e para, bllokonin legalizimin e ndërtimeve të bëra në tokë-shtet ose në tokë të të tretëve, dhe e dyta, parashikonin dhe dënim me gjobë dhe dënim me burg për të tria kategoritë, për ata që ndërtonin në tokë të tyre, tokë-shtet ose në tokë të të tretëve. Kjo kategori mbeti në njëfarë mënyre e penalizuar, megjithëse nga pikëpamja morale ishte e njëkohshme me kategoritë e tjera, por për shkak të këtij freni ligjor nuk mund të përfshihej në proces. Duke marrë parasysh faktin e informacionit të dalë publikisht nga komisionet, të ekzistencës së vullnetit të deputetëve për të bërë një amnisti për një kategori të tyre, gjykuam që ishte momenti për t’i bashkuar të dyja gjërat dhe për ta zgjidhur përfundimisht këtë kategori”, – tha Lame.
Sipas tij, “kjo masë ndërtimesh, deri tani kishte mbetur në mëshirë të punonjësve të policisë apo prokurorisë në gjithë këto vite, të cilët, sa herë që donin i përdornin si kontingjente, nuk do të doja të thosha ‘kontingjente korruptimi’, por në shumë raste kanë shërbyer dhe si të tilla, duke qenë pa mbrojtje përballë ligjit se kishin kryer një vepër penale, herë pas here kanë rënë pre e mungesës së përgjegjshmërisë së punonjësve të policisë apo prokurorisë”.
“Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për ta zgjidhur këtë çështje. Sqaroj se nuk kemi të bëjmë me legalizim të tyre, por përfshirje në procesin e legalizimit, si gjithë kategoritë e tjera. Pastaj, është ligji që vendos sipas kritereve nëse legalizohen apo jo. Natyrisht, duke u nisur edhe nga nisma e disa deputetëve këtu, është e domosdoshme që ky ligj të shoqërohet dhe me ligjin e amnistisë për veprën penale. Ne po trajtojmë produktin e veprës penale, por duhet trajtuar dhe vepra penale dhe amnistimi i saj”, – tha Lame.
Sipas kreut të ALUIZNI-t, “ndryshimet janë në nenin 2, ndërsa ndryshimet e tjera janë ato që na kanë lindur kohë pas kohe nga procesi, madje jam i bindur se do të dalin dhe të tjera, se praktikat në terren sjellin çudi nga më të ndryshmet. Dhe këto ditë, pasi kaloi ligji në qeveri, ka pasur propozime, madje të fundit e patëm dje, nga kabineti i kryetarit të Kuvendit”.
Pyetje & Përgjigje
Vasilika Hysi: Kur diskutuam vjet, i kemi bërë pyetje zotit Lame “pse ka standard të dyfishtë për ndërtimet pa leje?”. Kishte shpëtuar një gabim në ligj lidhur me kodin e familjes për regjimet pasurore. Ligji për legalizimet nuk jepte mundësi për personat që kishin zgjedhur një regjim të ndryshëm nga ajo e bashkësisë ligjore. Artan Lame: Vazhdimisht nga terreni dalin situata të reja që duan rregullime ligjore, ndaj po mundohemi t’i mbledhim. Jemi para dy momenteve; nga njëra anë të kërkohen sa më pak dokumente. nga ana tjetër po japim dokumentin më të rëndësishëm në 50 apo 100 vjet. Kërkimi i dokumenteve shtesë janë të domosdoshme për të mirën afatgjatë të qytetarit.
Për shembull, shtesat anësore të pallateve 5-katëshe të vjetra, kishim vënë që, duhet të kesh dokumentin e pronësisë të apartamentit të vjetër që të aplikosh për shtesë; shumica rezulton që nuk janë regjistruar në Hipotekë, atëherë bllokohet legalizimi. Shumë prej tyre kanë dhe probleme që derivojnë nga kjo. Ndoshta ka realisht vend që, edhe në këtë çështje të bëjmë një tkurrje të dokumentacionit, por jo duke e hequr. Pra, ai duhet ta dëshmojë që është shtëpia e vet, që mos mbyllim një problem duke hapur një tjetër.
Pandeli Majko: Ajo që nuk kam kuptuar asnjëherë është që institucioni juaj ka një marrëdhënie ndonjëherë të çuditshme me banorë të cilët kanë bërë letrat për legalizim. Ju keni pranuar letrat për legalizim dhe pagesat përkatëse që ndonjëherë janë goxha të kripura dhe në një moment të dytë apo të tretë thoni “nuk bëhet legalizimi”. Gjen zgjidhje kjo në këto ndryshime? Ka dhe raste, si për shembull një qytetar te njësia 5, ku do kalojë Unaza, i legalizohet shtesa që ka bërë pas viteve ‘90 dhe godina që ka para viteve ‘90 nuk i legalizohet për efekt të dëmshpërblimit. Apo rast që unë kam bërë shtëpinë me komshinjtë e mi përballë, anash, majtas e djathtas; mua më thuhet se “këtu do bëhet një projekt e ti nuk bën dot legalizimin”. Në një kohë që mund të ndodhë e kundërta; unë legalizohesha dhe kur të vinte momenti me shpronësimet përkatëse mund të procedohej.
Artan Lame: Për çështjen e parë, shteti ka vazhdimësi në fakt dhe askush nuk mund të justifikohet. Situata e njësisë 5 u ndesh dhe në rastin e rrugës Transballkanike në Vlorë. Në raste të tilla ka pasur projekte të miratuara prej vitesh. Dimë që Unaza e Tiranës ka qenë miratuar si gjurmë që në vitet ‘80, që në kohë të Adil Çarçanit, pra kushdo e dinte dhe, pavarësisht çfarë dinte qytetari, ligji ka ndaluar legalizimit. Por, çfarë ka ndodhur? Për arsye elektorale, kryesisht për arsye elektorale, qytetarëve në atë fashë ku do të kalonte Unaza iu bëheshin procedurat e legalizimit, merreshin paratë e truallit, nxirrej dhe në gazetë njoftimi, por lejen e legalizimit nuk e jepnin, se dihej që ishte shkelje ligjore. Them me përgjegjshmëri se në atë zonë nuk është bërë legalizim se e dinin ku shkonte zarari pa qeder dhe kur dënoheshin vetë.
Bashkim Fino: Do bëj një pyetje politike; shpresoj të më përgjigjet Lame, që mos thërres në interpelancë ministren e Lames. Ka të paktën 10 vjet që po bëjmë legalizime, natyrisht nuk keni faj ju, se ju as 18 muaj nuk keni në krye të institucionit, por pyetja ime është e thjeshtë: Kur mbarojnë legalizimet në Republikën e Shqipërisë? Ju dikur keni qenë partizanë të “planifiko dhe legalizo”, ndërsa opozita e sotme 8 vjet në pushtet bëri të kundërtën, legalizo pa ia ditur fare për planifikimin. Sot, a do ketë urbanizimin në kuadrin e një reforme territoriale me 61 bashki? Vërejtje: pika 1, neni 17 më duket e stërzgjatur. Do ketë dhe opozita të drejtën të bëjë ndonjë replikë, por në këtë rast del e humbur, dhe mezi pres të bëjë replikë.
Artan Lame: Këtë çështje unë nuk e kam filluar teknikisht, por politikisht, me zotin Xhafa si ministër dhe unë si zëvendësministër. Kur mbarojnë legalizimet? Që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje do duhej të rrinim deri nesër, për të shpjeguar si është situata. Do mirëprisja dhe një inspektim të Kuvendit, më mirë të them, vizitë të deputetëve për të ndjekur problematikat që lindin, sidomos rakordimet mes institucioneve. Vetë legalizimet, nga 427 mijë objekte, po të heqim objektet që kanë deklaruar nga 2 herë e 3 herë, mbeten 350 mijë, po të heqim rreth 50 mijë që janë legalizuar nga 2006-ta e në vijim, mbeten 300 mijë. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 200 mijë janë në zonat informale, ku është fokusuar dhe procesi i legalizimit. Masa e madhe e zonave informate duhet të përfundojë brenda këtij mandati.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
