NGA YLLI DRISHTI*

Më 14 shkurt 2016 pushoi së rrahuri, në moshën 67- vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, zemra e artistit pogradecar Gjergj (Skënder) Lako. Piktori Gjergji Lako i përket brezit të piktorëve të përgatitur në ILA, Tiranë në fillimin e viteve ’70 të shekullit XX. Ky ishte brezi i artistëve figurativë që u edukuan nga profesorët e rinj, piktorë të diplomuar e të kthyer nga Akademitë Lindore të Artit si: Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Vilson Kilica,Guri Madhi, Danish Jukniu.

Ky brez artistësh të talentuar si Skënder (Gjergj) Lako, Bashkim Ahmeti, Gjergj Marko, Vladimir Stamo, Vangjo Vasili, Bashkim Dervishi, Besim Tula duke rënë në kontakt me një literaturë të artit perëndimor në Bibliotekën e Institutit të Arteve dhe të rrethuar nga atmosfera politike – artistike paksa më liberale në Shqipërinë e porsa dalë nga Traktati i Varshavës, ëndërronin dhe eksperimentonin të realizonin vepra arti me vizione bashkëkohore europiane. Piktori Gjergji (Skënder) Lako i përket këtij brezi artistësh të rinj pasionant e të talentuar.

Ai pasi mbaroi studimet për grafikë, ishte për pak vjet pedagogu i kësaj lënde në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë e debutues në disa ekspozita kombëtare. Për arsye shëndetësore, piktori Lako vendoset në qytetin e lindjes në Pogradec, ku vazhdoi të krijonte deri në fund të jetës. Gjergj Lako ishte piktor grafist, por ai kryesisht trajtoi gjininë e pikturës së vajit duke pikturuar peizazhin nga natyra dhe kompozime kryesisht lirike. Trajtoi kryesisht ciklin e qytetit të tij të lindjes – Pogradecit. Në peizazhet mbi Pogradecin piktori Lako fillimisht ndjek rrugën e peizazhistëve të traditës shqiptare.

Në disa tablo me peizazhin e qytetit, mbi çatitë e shtëpive të vjetra, janë pikturuar foletë prej kashte, me vezët e bardha të këtyre shpendëve. Ky cikël veprash mund të jetë dhe vizioni poetik i qytetit, duke krijuar imazhin më fantastik të tij, ku pothuajse mungon figura e njeriut, por paraqitet imazhi i një qyteti të mbuluar nga zogjtë e tij të adhuruar e të veçantë, që shpesh janë të pikturuar si personazhe realë e me përmasa gjigante (sa një banesë 2-katëshe).

Vizioni tjetër piktorik i rëndësishëm, mjaft interesant që piktori i kushtoi disa vepra, ishte dhe cikli veprave që mund ta titullojmë “muza e artistit”, në këto tablo – në disa imazhe të ndryshëm “muza e artistit” me mjaft guxim përfaqësohet nga figura gati e zhveshur e një vajze të bukur, që e shohim të jetë e pranishme në pozicione dhe veshje të ndryshme. Tablotë e piktori Lako në përgjithësi vihet re se përshkohen nga një trishtim e nostalgji e heshtur, që e kanë ndoshta burimin në kujtimet e largëta rinore të imazheve e përfytyrimeve të artistit mbi qytetin e tij, por ndofta dhe nga jeta monotone e një qyteti provincial.

Tablotë janë të pikturuara me tone ngjyrues, që i përkasin një palete shumëngjyrëshe ku ngjyrat mbizotëruese janë: e kaltra, tonet e saj, okrat, jeshilet tingëlluese të cilat gjithmonë realizohen me një penel të “ashpër” dhe me plot energji drejt një realizmi magjik. Gjergji (Skënder) Lako krijimtarinë e tij ja dedikon qytetit të lindjes – Pogradecit, por në një formë të veçantë; ai zbuloi para publikut legjendat e muzat poetike të zonës ku ai krijoi, qytetin “tjetër” – ireal, fantastik, të magjishëm e me plot mistere Lako si piktor ka krijuar njëkohësisht hymnizimin e “Shtërgut” këtë krijesë që ai e ktheu në banor të pranishëm në qytetit të tij të vogël.

“Shtërgu” i artistit Lako është kthyer në simbolin e paqes, bukurisë e frymëzimit. Në shtëpinë modeste të artistit Lako, ruhet koleksioni i punimeve të tij të shpërndara në të gjitha muret e banesës, punime që artisti i ka realizuar me dashuri, përkushtim e profesionalizëm dhe që i ekspozoi në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë në vitin 2005, në ekspozitën e përbashkët me piktorin Vangjo Vasili. Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë ruan 14 punime të artistit të viteve 1973-1985, të cilat janë peizazhe në vaj kryesisht peizazhe nga Pogradeci, dy grafika në linoleum të vitit 1974 (“Melodi baritore” dhe “Aksioniste, natyrë e qetë”) si dhe disa tablo tematike si: “Korrieri Partizan” (1978); “Shkolla e parë shqipe në Pogradec” (1978) dhe “Peshkatarët” (1983).

Në këtë ditë të ndarjes së parakohshme nga jeta e familjarit, kolegut, pedagogut, mikut të nderuar dhe artistit Gjergji (Skënder) Lako, të gjithë ndjejmë një hidhërim të thellë. Për shumë e shumë vite ai do të kujtohet si një artist i talentuar si një edukator i veçantë, gojëmbël dhe komunikues me brezin e ri të nxënësve të atyre viteve të Liceun Artistik “Jordan Misja”, por edhe si qytetar dhe intelektual i klasit të parë Bashkia e Pogradecit, biznesmenët, artdashësit e qytetit mendoj që duhet të kujdesen fuqimisht që vepra e tij piktorike të jetë pjesë e koleksionit të Galerisë së Arteve të Pogradecit – qytetit që ai e donte aq shumë.
(m.k/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: