Kelly Clarkson ka konfirmuar se do të largohet nga emisioni i saj i përditshëm “The Kelly Clarkson Show” për të kaluar më shumë kohë me fëmijët e saj, në përfundim të sezonit të shtatë të programit. Këngëtarja e dha lajmin përmes një mesazhi të gjatë të ndarë në rrjetet sociale të hënën. “Kam qenë jashtëzakonisht me fat që kam punuar me një grup kaq të jashtëzakonshëm njerëzish në The Kelly Clarkson Show, si në Los Angeles ashtu edhe në New York”, shkroi Clarkson, 43 vjeç, në Instagram. “Ka pasur kaq shumë momente dhe emisione të mrekullueshme gjatë këtyre shtatë sezoneve.”

Fituesja e çmimit Grammy shtoi se është “përjetësisht mirënjohëse dhe e nderuar që ka punuar përkrah bendit dhe stafit më të mirë që mund të imagjinohej”, si edhe “të gjithë artistëve dhe njerëzve frymëzues që kanë ndarë kohën dhe jetën e tyre me ne”. Clarkson falënderoi gjithashtu fansat e saj të shumtë “që e kanë mbështetur emisionin tonë” që nga debutimi në vitin 2019, si dhe NBC-në për faktin se ka qenë “gjithmonë një partner mbështetës dhe i jashtëzakonshëm”.

“Pikërisht për shkak të gjithë kësaj, ky nuk ishte një vendim i lehtë, por ky sezon do të jetë i fundit për mua si moderatore e The Kelly Clarkson Show”, shkroi ajo. Këngëtarja e tha se “largimi” nga emisioni do t’i mundësojë t’u japë përparësi fëmijëve të saj, gjë që, sipas saj, “ndihet e nevojshme dhe e drejtë për këtë kapitull të ri të jetës sonë”.

Clarkson ka vajzën River, 11 vjeçe, dhe djalin Remington, 9 vjeç, të cilët i pati me ish-bashkëshortin e saj të ndjerë, Brandon Blackstock. Blackstock u nda tragjikisht nga jeta në gusht 2025, në moshën 48-vjeçare. Ish-konkurrentja e American Idol e mbylli mesazhin duke theksuar se, ndonëse po largohet nga emisioni i saj ditor pas këtij sezoni, “kjo nuk është një lamtumirë”. “Do të vazhdoj të bëj muzikë, të mbaj koncerte herë pas here dhe mund të më shihni ndonjëherë në The Voice… kurrë nuk e dini se ku mund të shfaqem më pas”, shkroi ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: