Pas shkrimi të publikuar nga Daily Mirror ku thuhej se Lazarati financon ISIS nëpërmjet drogës, ka reaguar demokrati Tritan Shehu. Në një postim në faqen e tij në Facebook, Shehu thotë se shkrimi është krejtësisht i pavërtetë dhe se në Lazarat nuk kultivohet më kanabis.
Ai shton më tej se Lazarati është një fshat me njerëz punëtorë e të ndershëm por vuan nga mungesa e përkujdesjes shtetërore. Shehu fton autorin e shkrimit të shohë nga afër Lazaratin që të bindet se si është ky fshat.
STATUSI I SHEHUT
Lazarati është ndryshe nga ajo që dikush e paraqiti sot. Me habi të madhe lexova një artikull mbi Lazaratin te një gazete angleze, jashtë e larg realitetit të atij fshati.
Unë kam pasur mundësinë të njoh që gjatë fushatës së fundit elektorale, por edhe më përpara, atë fshat e shumë banorë të tij, të prek nga afër realitetin ku ata jetojnë dhe them me as më të voglin dyshim se Lazarati është një fshat me njerëz punëtorë, të ndershëm, familjarë, me vlera të mëdha shoqërore.
Lazarati nuk kultivon me Canabis, ai është çliruar nga bandat kriminale, që e krijuan atë veprimtari shkatërruese. Por kjo nuk do të thotë se atje kanë gjetur strehë e mundësi tashmë grupe terroriste.
Ato që shkruhen në atë artikull janë krejtësisht të pavërteta. Unë e ftoj atë autor të mirëinformohet, të vijë në Lazarat, të pije një kafe, të flas me banorët aty. Jam i sigurt se dhe ai shpejt do të bindet për çka po them.
Lazarati sot vuan vetëm nga një gjë dhe ajo është përkujdesja shtetërore, mungesa e programeve zhvilluese, investimeve, gjë që e ka çuar atë vend aq të bukur në varfëri. Gjë kjo e zakonshme tashmë në Shqipëri.
Sa për terrorizmin, unë e kam ngritur ndër të parët zërin për rrezikun e madh që paraqet për ne, rekrutimi i disa krimineleve për t’u dërguar si pjesë e ISIS. Për lidhjen krim-terrorizëm. Dhe kundër këtij rreziku real për Shqipërinë ne duhet të jemi aktivë, të përgatitur e të palëkundur. Por kjo nuk ka të bëjë me atë artikull.
(m.k/BalkanWeb)
