TIRANE- Razip (Gate) Mahmutaj, i cilësuar si Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i një grupi kriminal që vepronte në Lazarat dhe qëlloi ndaj policisë gjatë operacionit antikanabis në 2014-ën, ka bërë një hap mbrapa, duke kërkuar gjykim të shkurtuar.
Për shkak të akuzave që i rëndonin mbi supe, Gate Mahmutaj rrezikonte një dënim deri në 20 vite, ndaj duke ndjekur rrugën e bashkë të pandehurve të tjerë në proces me të, vendosi të përfitonte nga hapësira ligjore.
Nëse kërkesa e Gates pranohet, jo vetëm procesi përfundon brenda një kohe të shkurtër, por ai edhe përfiton ulje të një të tretës së masës së dënimit që do të firmosë ndaj tij gjykata. Gjykim të shkurtuar kanë kërkuar edhe 10 të pandehur të tjerë, por duke qenë se seanca e djeshme gjyqësore u shty për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve mbrojtës, gjykata nuk mori një vendim nëse do ta pranojë kërkesën e tyre.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
