TIRANE– Është shtyrë sërish seanca për “bandën e Lazaratit” te Gjykata e Krimeve të Rënda. Në seancën e sotme do të dëshmonin 7 efektivë të RENEA-s, por ata nuk u paraqitën.

Mësohet se 4 oficerë janë ende në detyrë, dhe sipas RENEA-s, ata janë të angazhuar në operacione të ndryshme në vend.

Këtë RENEA e sqaron përmes një letre drejtuar trupit gjykues për mungesën e efektivëve në seancë.
Sakaq, edhe kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako i ka dërguar një letër Gjykatës së Krimeve të Rënda, përmes së cilës i kërkon që gjatë procesit të ruhet sekreti i klasifikuar policor.

Ditën e sotme në seancë munguan edhe dy prej avokatëve.

Kujtojmë se në seancën e 5 korrikut 2017, të akuzuarit për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha, ngjarje kjo e ndodhur në qershor të 2015, por njëherësh edhe dëshmitarë kyç, Elson Kazma e Klodjan Selimi u tërhoqën nga deklarimet e dhëna në prokurori. Pas shqyetimit të provave dhe marrjes së dëshmive, Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të japë vendimin për 10 anëtarët e “bandës së Lazaratit”.

Të pandehurit akuzohen se qëlluan me armë në drejtim të policisë, kur kjo e fundit po hynte në Lazarat gjatë operacionit kundër kultivimit të kanabisit. Për pasojë humbi jetën efektivi i forcave speciale.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb