Lumir Abdixhiku ka thënë se do të ofrojë dorëheqjen nga kryetari i LDK-së në Kuvendin e Përgjithshëm të partisë, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Megjithatë, ai tha se nëse delegatët e LDK-së e refuzojnë dorëheqjen ai do të vazhdojë të qëndrojë në krye të LDK-së.

Abdixhiku i shoqëruar nga vartësit e tij pas mbledhjes maratonike mbi pesë orëshe me disa prej zyrtarëve të lartë të LDK-së, tha se shumë shpejtë do të thërras Kryesinë dhe Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së, raporton KosovaPress.

“E kam obligim moral, politik të sjelljes time që të marrë përgjegjësinë dhe organizimin politik të LDK-së, përmes ofrimit te Kuvendi i LDK-së së dorëheqjes si kryetar i LDK-së dhe më pas Kuvendi le të vendosë përmes votës se a e pranojnë apo jo këtë dorëheqje. Po ashtu secili ka të drejtën e garantuar që deri atëherë të shtrojë kandidaturën individuale për kreun e LDK-së”, tha ai.

Sipas tij, është papërgjegjësi që t’i shmanget besimit të delegatëve të LDK-së nëse të njëjtit ia refuzojnë dorëheqjen.

“Nëse kuvendi nuk e pranon dorëheqjen, atëherë detyrohem me qëndrua në pozitën e kryetarit dhe ta kërkon një gjë të tillë. Është një papërgjegjësi edhe e kohës dhe anëtarësisë që ti shmangesh këtij besimi. Por, kjo ççshite është e anëtarësisë”, tha ai.
Përkitazi me këtë, ai tha se secili anëtarë i LDK-së ka të drejtë që t’ia mësyjë të parit të partisë, mirëpo kur u pyet sërish nga KosovaPress se a kishin disponim ndonjëri prej nënkryetarëve aktual që të kandidojë, ai i shikoi të njëjtit dhe tha që jo.
“A jeni të interesuar? Jo nuk qenkan. Ishin diskutime të brendshme por kanë të drejt secili prej tyre. secili anëtarë i LDK ka të drejt të parashtrojë një çështje të tillë. Këto kandidatura mund të shpallen në ditët në vijim”, tha ai.

Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.11 për qind të votave, që i sigurojnë 15 ulëse në Kuvend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb