E përditshmja franceze “Le Monde”, bazuar në një raport të bërë publik nga Organizata e Kombeve të Bashkuara shkruan se janë rreth 150 shqiptarë që luftojnë në Siri dhe Irak për ISIS. Në raport mes numrit të popullsisë dhe numrit të luftëtarëve radikalë, rezulton se Shqipëria renditet e nënta mes 26 vendeve nga të cilët rezulton se janë rekrutuar luftëtarë.
Në këtë raport Shqipëria ngjitet më lart dhe në krahasim me vende myslimane si Maroku, Turqia apo Kuvajti. Situata më e rënduar shfaqet në Kosovë. Ajo renditet në vendin e katërt në botë për sa i përket luftëtarëve që janë rreshtuar me ISIS në raport me popullsinë e saj, me rreth 232 luftëtarë.
Në Ballkan, Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria janë tre ndër vendet furnizuese me luftëtarë mes 10 vendeve që kanë më shumë shtetas në Siri dhe Irak në raport me popullsinë. Një tjetër alarm i dhënë nga raporti më i fundit i Kombeve të Bashkuara është dhe rritja e paparashikueshme e numrit të personave të rreshtuar në radhët e ISIS nga gjithë bota.
Nëse në shtator të vitit të kaluar numëroheshin rreth 15 mijë luftëtarë të huaj, në fund të majit të këtij viti kjo shifër arriti në 25 mijë persona të huaj që luftojnë për krijimin e Kalifatit, duke e rritur këtë shifër me 71% për qind më shumë luftëtarë të huaj në 8 muaj.
(m.k/BalkanWeb)
