Rikthimi i Rafael Leao në fushë i jep shpresë Milan, por prania e tij në supersfidën e së hënës ndaj Napolit mbetet ende në dyshim. Sulmuesi portugez është stërvitur i diferencuar në Milanello dhe nuk ka arritur ende formën optimale. Aktivizimi nga minuta e parë duket i pamundur, ndërsa edhe stoli mbetet një opsion që do të vlerësohet me kujdes maksimal nga stafi teknik.
Problemet fizike, mes pubalgjisë dhe shqetësimeve në aduktor, mund ta detyrojnë trajnerin Massimiliano Allegri të mos rrezikojë fare me Leaon në “Maradona”. Testet e orëve në vijim do të jenë vendimtare për një vendim përfundimtar.
Ndërkohë, skuadra kuqezi po plotësohet pas angazhimeve me kombëtaret. Janë rikthyer disa nga emrat kryesorë, mes tyre Luka Modric, Christian Pulisic dhe Alexis Saelemaekers, duke i dhënë më shumë alternativa trajnerit.
Në këtë sfidë do të mungojë Matteo Gabbia, ndërsa rikthehet në listë Ruben Loftus-Cheek, i cili pritet të luajë me mbrojtje speciale pas dëmtimit të fundit. Dilema kryesore mbetet në repartin ofensiv: kush do të jetë në krah të Pulisic? Amerikani mbetet titullar i padiskutueshëm, ndërsa një vend në formacion diskutohet mes Christopher Nkunku, Santiago Gimenez dhe Niclas Fullkrug.
Nkunku duket në avantazh pas paraqitjeve pozitive në stërvitje, ndërsa alternativat pritet të përdoren gjatë ndeshjes, në varësi të rrjedhës së lojës. Për sa i përket formacionit, nuk priten ndryshime të mëdha: në mbrojtje konfirmohet treshja Tomori–De Winter–Pavlovic përpara portierit Maignan, ndërsa në mesfushë do të veprojnë Fofana, Modric dhe Rabiot, me Saelemaekers dhe Bartesaghi në krahë. Milan përgatitet kështu për një përballje të rëndësishme në transfertë, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.
