Në prag të 27-vjetorit, që do ta festojë më 10 qershor, Rafael Leao duhej të ishte sot simboli i pjekurisë dhe lideri teknik i Milanit. Por sezoni i portugezit ka marrë një tjetër drejtim. Ajo që pritej të ishte viti i shpërthimit përfundimtar dhe i marrjes së përgjegjësive në skuadër, po kthehet në një histori zhgënjimi dhe paqartësie.

Forma e Leaos ka qenë larg pritshmërive, si në aspektin realizues, ashtu edhe në ndikimin që duhet të ketë një lojtar i nivelit të tij. Edhe eksperimentet taktike nuk dhanë rezultat: Allegri provoi ta përshtaste si sulmues qendror, por portugezi nuk arriti të bëhej pika e referimit në repartin ofensiv të Milanit, një repart që gjatë sezonit ka vuajtur mungesën e golit dhe vazhdimësisë.

Situata është bërë aq delikate, sa në ndeshjen vendimtare ndaj Atalantës për garën Champions, Leao rrezikon ta nisë nga stoli. Një sinjal i fortë për një futbollist që deri pak kohë më parë konsiderohej fytyra e projektit kuqezi.

Në sfond mbetet edhe çështja e së ardhmes. Leao ka kontratë me Milanin deri në vitin 2028 dhe një klauzolë largimi prej 175 milionë eurosh, por një shifër e tillë sot duket jashtë realitetit të tregut. Klubi italian e di se një ofertë mes 50 dhe 60 milionë eurosh mund të jetë më pranë vlerës reale të lojtarit. “Leao je jashtë”, është ky titulli kryesor i së përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”, që paralajmëron ikjen e mundshme të portugezit verën e ardhshme.

Megjithatë, problemi për Milanin është se aktualisht mungojnë klubet e gatshme të investojnë seriozisht për portugezin. Dhe kështu, vera që vjen mund të kthehet në një moment vendimtar: të shitet tani për të shmangur zhvlerësimin, apo të besohet edhe një herë te një talent që ende nuk ka arritur të bëjë hapin e madh drejt konsolidimit si lider absolut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: