Formula 1 këtë fundjavë do të zhvendoset në Montekarlo për garën e radhës në pistën e famshme qytetase të Principatës. Ferrari vjen pas garave të njëpasnjëshme zhgënjyese të këtij sezoni, ndërsa ëndërron që të përsërisë suksesin e vitit të kaluar në Monako, kur festonte triumfin me Sharl Lëklerkun.

I nisur nga “pole position”, piloti monegask triumfoi në garën e shtëpisë, duke rikthyer Ferrarin te suksesi pas shtatë vitesh në këtë cirkuit, teksa fitorja e fundit i përkiste gjermanit Sebastian Fetel në vitin 2017. Në këtë event, pilotët e Ferrarit do të kenë një veshje të veçantë, teksa paraqiten me një kostum të bardhë.

Para kësaj gare, Lëklerk është shfaqur me entuziazëm për konkurrimin në rrugët e qytetit të tij: “Kjo është një nga javët më të rëndësishme të vitit dhe për këtë rast do të vesh një veshje të veçantë, duke filluar me tuta speciale. Shpresoj që t’iu pëlqejë veshja këtu në Montekarlo dhe uroj të më sjellë fat që të përsëris fitoren e vitit të kaluar në garën time në shtëpi. Do të jetë e vështirë, por ne do të japim gjithçka”, deklaron Lëklerk.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb