Një nga ditët e prillit 1985, pas vdekjes së Enver Hoxhës, na rreshtuan në shkollën tetëvjeçare, që të vajtonim kolektivisht vdekjen e diktatorit. Më kujtohet se bashkë me disa nga bashkëmoshatarët e mi 14 vjeçarë, na kapi shqetësimi fëmijëror se çfarë do bëhej me vendin pas vdekjes së Enverit, si do i vinte puna socializmit, si do vente halli ynë?! Pas dy tre vjetësh, kur filluam të piqeshim dhe të merrnim vesh ç’ndodhte në realitet, e kuptuam sa naivë kishim qënë.
Në intervistën e tij të 17 tetorit 2026, Edi Rama deklaroi se po të ikte ai si Kryeministër, integrimi do ngelej në vend. Po na fton të vajtojmë se po iku Rama si do i vejë puna integrimit të Shqipërisë! Më poshtë po identifikoj shkurt tre arsye përse ky rrëfim është thelbësisht antievropian.
Së pari, kjo deklaratë, në vetvete përmbledh megalomaninë, arrogancën dhe kultin e individit të Edi Ramës. Edhe Skënderbeu, ai i vërteti, u shpreh në Krujë më 28.11.1443 se ‘lirinë nuk jua solla unë, e gjeta në mes tuaj’. Kurse Rama thotë që integrimin mund ta sjellë vetëm ai! Një arrogancë të tillë, nuk e kanë pasur as Monnet, as Schuman, as Adenauer, dhe asnjëri nga ata që sot konsiderohen si baballarët e Evropës së bashkuar. Monnet dha dorëheqjen si Presidenti i parë i Autoritetit të Lartë (paraardhësi i Komisionit Evropian), dhe nuk tha kurrë se po të ikte ai merrte fund integrimi evropian, të cilin ai vetë e kishte ideuar që në gjenezë, dhe e kishte shndërruar në proces politik.
Së dyti, deklarata tregon gjithashtu edhe keqkuptimin thelbësor të Kryeministrit shqiptar për procesin e integrimit evropian. Ky rrëfim i Ramës tregon se integrimi evropian kuptohet prej tij si një proces personal dhe jo një proces politik shoqëror. Jo si një proces që do ta çojë Shqipërinë në BE, por që do mbajë Ramën në pushtet. Përkundrazi integrimi evropian konsiston në provën që politika, institucionet dhe shoqëria shqiptare, të gjithë bashkë janë gati të sillen si evropianë dhe ta mbështesin procesin, pavarësisht nga çdo ndryshimi kryeministri apo qeverie. Rama nuk po bën asgjë tjetër, por po privatizon, ashtu si shumë procese të tjera, edhe integrimin evropian. Një ish-ambasadore e huaj në Shqipëri më tregonte përpara disa vitesh se si Rama iu mburrej gjithë ambasadorëve të mbledhur në tryezë rreth tij, se po të kishte ndonjë problem në Shqipëri, mjaftonte që ai të vihej në dijeni dhe e zgjidhte problemin me një sms. Kjo tregon se në Shtetin tonë nuk ka rëndësi as ligji, as institucioni, as procedura dhe as acquis e BE. Zgjidhja tek ne është telefonike, jo ligjore apo institucionale. Nuk më duket që në këtë mënyrë mund të na çojë në Evropë as Rama, dhe askush tjetër. Koncepti i Ramës për integrimin i ngjan krejt nocionit të koncertit evropian të Metternich-ut, dhe aspak nocionit të integrimit evropian të Monnnet. Sipas të parit, rëndësi ka që të merren vesh krerët e shteteve me njëri tjetrin, pak rëndësi ka se çfarë ndodh me popujt që ata qeverisin. Sipas të dytit, synimi është të integrohen popujt, dhe jo shtetet.
Së treti, me këtë deklaratë Rama nuk bën asgjë tjetër veçse pranon që Shqipëria nuk është gati për tu integruar në Bashkimin Evropian. Rama rrëfen se shqiptarët janë “të paaftë” dhe “mediokër” ta çojnë Shqipërinë në BE, që do të thotë të paaftë të bëjnë shtet, institucione dhe politika integruese sa do ngelen rrugës po iku Rama. Pra ne jemi një popull që nuk mund të integrohemi pa Ramën! Nëse edhe ne e pranojmë këtë, kemi gënjyer veten me procesin e integrimit. Nëse është kështu atëherë Komisioni Evropian dhe Shtetet Anëtare e kanë kot që na mundojnë me negociata, reforma, përafrime, etj. Mjafton që ata të mbajnë në pushtet Ramën, “kyçin e integrimit”, dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE është i garantuar. Vetë logjika e integrimit, sipas Monnet, është që popujt dhe institucionet të aftësohen të integrohen. Me deklaratën e tij Rama sapo pranon të kundërtën, dhe në të njëjtën kohë dështimin e deritanishëm të procesit të integrimit – që ai paska dështuar ta aftësojë dhe përgatisë shoqërinë shqiptare për tu integruar në B.E,. pa Ramën.
Problemi është nëse ne jemi aq naivë sa, të besojmë se integrimi varet nga një person i vetëm, dhe po iku ai nga pushteti, integrimi dështon? Besoj është e qartë për këdo që Shqipëria avancon në negociata kryesisht për shkak të momentumit gjeostrategjik evropian si pasojë e luftës në Ukrainë, dhe jo të reformave që po bën? Por gjeostrategjia ndryshon, dhe integrimi i vërtetë i vendit dhe shoqërisë konsiston në reformat konkrete, në ngritjen dhe jo në rrënimin e institucioneve nën vellon e reformave evropiane, dhe kur këto institucione janë në gjendje, të pavarura, të zbatojnë standardet evropiane dhe jo dëshirat apo sms e një personi, kushdo qoftë ai. Nuk besoj se duhen shumë prova për ta kuptuar sa larg jemi, në fakt dhe fatkeqësisht, nga integrimi i vërtetë. Rrëfimi i Ramës është prova më e re!
Por, problemi akoma më madhor që ne duhet të kuptojmë nga rrëfimi i Ramës është që, çdo proces politik, qoftë edhe integrimi evropian, në qoftë se varet nga pushteti dhe vullneti i një personi të vetëm, apo nga qenia e tij në pushtet, nuk është asgjë tjetër veçse autokraci ose diktaturë. Ose është një nga këto të fundit, në formën e një vasaliteti të ri, të veshura me flamurin evropian. Pikërisht e kundërta e vetë logjikës së integrimit evropian.
Ledi Bianku,
Strasbourg, 20.10.2026
