TIRANE-Edhe pak kohë na ndan nga edicioni i tetë i “Big Brother Albania”. Një nga spektaklet më të ndjekura në Shqipëri, këtë vit do të vijë me shumë risi. Misteri më i madh sivjet, më shumë sesa për konkurrentët, ishte për emrin e drejtuesit të këtij edicioni. Pasi u përfolën emrat e disa moderatorëve, mbrëmjen e së martës, produksioni vendosi të publikonte emrin e prezantuesit, i cili sivjet është mashkull. Drejtuesit e “Top Channel” ia kanë besuar prezantimin e “Big Brother” Ledion Liços. Moderatori, tashmë i afirmuar në ‘Top’, pas shumë vitesh punë dhe në krye të disa produksioneve të rëndësishme si “The Voice Of Albania” apo “Top Fest”, do të zëvendësojë Arbana Osmanin përgjatë tre muajve të reality show-t, që pritet të fillojë në muajin mars.

I kontaktuar nga “Vip Pages”, Ledioni e konfirmoi lajmin, pa shfaqur ndonjë entuziazëm të madh, e duke e konsideruar thjesht si një punë që duhet bërë. Pyetjes sonë nëse e kishte gëzuar fakti që ia kishin besuar atij prezantimin, Ledioni iu përgjigj me një ironi që ndihej jo pak… “Nuk kam ndonjë gjë për të thënë. Është një punë që do përpiqem ta bëj mirë. ‘Big Brother’-in e kam parë gjithmonë se e ka bërë Arbana. Është një format interesant, dhe kam menduar si do të ishte po të isha futur vetë. Fati e donte që unë të bëhesha i famshëm pa u futur atje. Prezantimi i spektaklit është diçka që s’e kam menduar ndonjëherë, diçka që erdhi e papritur. Është një ambicie që s’e kam pasur ndonjëherë, sepse nuk kam të tilla ambicie. Thjesht është një punë që njerëzit mendojnë se e bëj mirë dhe, siç duket, ma kanë besuar pikërisht për këtë arsye”, – u shpreh ai. Siç kemi zbuluar më herët në suplementin “Bluetooth”, audicionet për pjesëmarrësit e sivjetshëm kanë nisur prej kohësh. Në krye të realizimit të këtij spektakli, edhe për këtë vit do të jetë autorja Zefina Hasani, dikur skenariste e “Dancing With The Stars” në “Vizion Plus”. Ende nuk dihen detaje mbi profilet e konkurrentëve, përzgjedhja e të cilëve tashmë duhet të jetë drejt fundit. I vetmi lajm i sigurt për “Big Brother”-in e sivjetshëm është emri i prezantuesit Ledion Liço, i cili zëvendëson Arbana Osmanin, tanimë në muajt e fundit të shtatzënisë së saj të parë. Përveçse një prezantues i dashur për teleshikuesit, Ledioni së fundmi është përfolur shumë në mediat rozë edhe për lidhjen e tij të dashurisë me Sara Hoxhën, vajzën e pronarit të ndjerë të “Top Channel”-it, Dritan Hoxha.

EMRAT E PERFOLUR
Që pas tërheqjes së Arbana Osmanit nga televizioni, për të shijuar shtatzëninë e më pas mëmësinë, u ngritën shumë dilema për emrin e atij apo asaj që do ta zëvendësonte te “Big Brother”. Eno Popi ishte kandidatura e parë që u përfol si moderatori i reality-t më të ndjekur. E nëse do të ndodhte kështu, do të ishte një risi, që për herë të parë një format i tillë do të prezantohej nga një mashkull. Megjithatë, menjëherë qarkulluan dhe emra të tjerë si moderatorë të mundshëm. Albana Osmani, dukej si mundësia më e mirë, për shkak dhe të eksperiencës që ka me këtë format. Albana ka prezantuar më herët forumin e “Big Brother”, duke u familjarizuar me këtë format. Moderatorja e “E Diell”, ishte një tjetër emër që u konsiderua si imazhi i duhur për të udhëhequr shtëpinë e “Big Brother”. Së fundmi ka qenë edhe motra e Luanës, Marina, një mundësi për të qenë mikpritësja e spektaklit. Sakaq, emri i fundit që u diskutua deri ditën e djeshme, në portale të ndryshme në internet, ishte ai i Luana Vjollcës, moderatores bukuroshe. E kontaktuar nga “Vip Pages”, Luana as nuk e mohoi dhe as nuk e pohoi lajmin, duke lënë gjithçka evazive, siç duket edhe në pritje të vendimit që u mor në fund.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: