Chelsea ndalet atëherë kur më pak pritej, në një “X” 2-2 brenda në “Stamford Bridge” përballë Leeds. Pas 4 fitoreve radhazi në Premier League blutë lënë dy pikë jetike në garën për të siguruar një vend në Champions, për më tepër që ishin në avantazh të dyfishtë.
Të shtyrë dhe nga tifozët, Chelsea e nisi ndeshjen “zjarr” dhe pas disa tentative, Joao Pedro finalizoi me shumë klas duke sjell festë në stadium. Londinezët nuk u mjaftuan me kaq, por me fillimin e pjesës së dytë fituan një 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Palmer u tregua perfekt duke dyfishuar shifrat.
Atëherë kur të gjithë prisnin që Chelsea të menaxhonte me qetësi këtë avantazh të dyfishtë, miqtë reaguan fuqishëm, fillimisht ngushtuan shifrat në 2-1 në minutën e 67-të, ndërsa në të 73-tën Okafor përfitoi nga një rrëmujë në zonë duke barazuar rezultatin në 2-2. Në fund, Palmer kishte në këmbë topin 3 pikësh, por në mënyrë flagrante, i vetëm shumë pranë vijës fatale fantazisti anglez dërgoi topin mbi traversë duke bërë që të gjithë në stadium të vinin duart në kokë. Në fund, dy ekipet ndanë nga një pikë, me Chelsea-n që mbetet në vendin e 5-të në kuotën e 44 pikëve, 1 më pak se Man.United.
Pas 3 humbjeve radhazi në Premier League, rikthehet te fitorja Newcastle. “Qymyrxhinjtë” triumfuan 2-1 në transfertë përballë Tottenham.
