TIRANË – “Rrena boll dhe shkatërrim pa kufi” – Me këto fjalë e ka përmbledhur qëndrimin e tij, Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ndaj deklaratave të sotshme të Kryeministrit ndaj opozitës gjatë ndarjes së çertifikatave të pronësisë në Kamëz.
“Asgjë e re nga fronti i mashtrimit, Kryeministri u kthye në vendin e kryemashtrimit për legalizim falas dhe nuk ia bëri goja të thotë “më falni që ju mashtrova, – shkruan Basha në Fb. – As legalizime falas, as ulje taksash, as ulje çmimi për energjinë, asnjë vend të ri pune për be. Rrena boll dhe shkatërrim pa kufi. Legalizimet më shtrenjtë, taksat u rritën për herë të dytë, çmimi i energjisë u rrit, papunësia dhe varfëria po ashtu. Vajmedeti vjell vrer kundër opozitës, i tund prangat popullit, por ditët e pushtetit kanë filluar t’i numërohen mbrapsht. Durimi i njerëzve ka një kufi. Koha ka ardhur ta shkulim të keqen me rrënjë,” – thekson ai.
Rama tha sot në Kamëz se po ndante 2002 çertifikata pronësie pikërisht në “kryeqytetin e legalizimeve”, dhe këtë e bënte edhe për një inat të vetin, personal, ndaj PD-së, e cila gjatë fushatës elektorale u tha të ardhurve në Tiranë se ai nuk do t’i legalizonte, por do t’i kthente andej nga kishin ardhur.
(ar.sh/BalkanWeb)
