TIRANE- Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka reaguar në lidhje me propozimin e kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka për lejimin e kanabisit për nevojat farmaceutike.
I ftuar në emisionin ‘Të bësh ekonomi’ në “News24”, Ahmetaj i cilësoi qesharake këto deklarata. Duke i kthyer një përgjigje Jakës, ai shtoi se do ishte mirë që të fliste për qumështin dhe jo për hashashin. Ahmetaj shtoi se droga nuk i sjell të mira ekonomisë.
“Realisht ato që tha Nikolini. Nikolini është prodhues qumështi. Po prodhon qumësht dhe jo hashash. Ajo që them unë dhe ajo që thoni ju shkon në drejtime të ndryshme. Interesi i Ministrit të Financave për atë që thotë Nikolini është i kundërt. Ne jemi beteje pa asnjë kompromis ndaj kanabisit. Ministri i Brendshëm ka dal herën e fundit dhe ka treguar se hashashi ka qenë i përhapur në gjithë Shqipërinë. Beteja ndaj hashashit dhe kapjet dhe prodhimi janë të gjitha në trendin e kësaj qeverie. A është një problem që duhet zhdukur? Unë jam i bindur se hashashi nuk i sjell të mira ekonomisë. Hashashi nuk e rrit kurrë ekonominë, e deformon strukturën ekonomike. Jam i bindur jo vetëm si ministër i Financave, por edhe si person. Jam gati edhe t’ua kalkuloj që këto elementë të kësaj natyrë, për një ditë, ose një muaj, shkëlqimin për një ditë të tij që e mbjell. Këto deklarime janë qesharake. Ai është një nga prodhuesit më të mirë me kuti, ndaj të flas për qumështin, se e ka fantastik më thonë.”, tha Ahmetaj.
Jaka deklaroi sot gjatë një konference për shtyp për projektligjin e Plehrave, se duhet të zbatohet formula për legalizimin e hashashit, ashtu sikur në vendet europiane, si Hollanda, Italia dhe Greqia.
(ed.me/BalkanWeb)
