Merkatoja e verës mund të rezervojë një tjetër transferim të bujshëm për Mirlind Dakun. Sipas gazetarit rus Andrey Pankov, Spartaku i Moskës ka vendosur të aktivizojë klauzolën e lirimit të sulmuesit shqiptar, duke ofruar plot 11 milionë euro për ta transferuar nga Rubin Kazan.

Marrëveshja mes dy klubeve duket pranë finalizimit, ndërsa gjithçka mbetet të vendoset nga negociatat për kushtet personale të futbollistit. Duke qenë se Spartaku është i gatshëm të paguajë klauzolën e plotë, pritet që edhe oferta financiare për Dakun të jetë ndër më të rëndësishmet në karrierën e tij.

Sulmuesi 28-vjeçar vazhdon të jetë një nga emrat më të kërkuar në futbollin rus. Ai e nisi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke gjetur menjëherë rrugën e rrjetës me fanellën e Rubin Kazan, ndërsa paraqitjet e tij kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e Spartakut.

Megjithatë, gara për shërbimet e Dakut mbetet e hapur. Edhe CSKA e Moskës ka shfaqur interes konkret për sulmuesin shqiptar dhe, sipas raportimeve të ditëve të fundit, është gjithashtu e gatshme të paguajë klauzolën e transferimit.

Tashmë mbetet për t’u parë se cili prej dy klubeve të kryeqytetit rus do të arrijë të bindë Mirlind Dakun për destinacionin e tij të ardhshëm, në atë që pritet të jetë një nga lëvizjet më të rëndësishme të kësaj merkatoje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb